Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj në një konferencë për shtyp nga Kuvendi i Shqipërisë, e ka cilësuar përballjen e zv.kryeministres Belinda Balluku me SPAK si një moment i rëndësishëm për vendin.
Shehaj thotë se se pas 35 vitesh, të gjithë qeveritarët e korruptuar dhe që i kanë shkaktuar dëme të mëdha shtetit shqiptar nga vjedhja dhe shpërdorimi i fondeve publike, po përballen me drejtësinë. Deputeti thotë se pasi GJKKO i ndaloi ushtrimin e funksioneve publike, Balluku duhet të japë menjëherë dorëheqjen nga postet e saj në qeveri. Të njëjtën gjë, Shehaj e ka kërkuar dhe për kryeministrin Rama duke e cilësuar si bashkëpunëtor të Ballukut.
“Shqipëria po përjeton momentin më të rëndësishëm të historisë së saj, që pas rrëzimit të regjimit komunist. Po shkërmoqet një autokraci e korruptuar që ka sunduar mbi Shqipërinë këto 35 vjet.
Të korruptuarit që kanë marrë peng këtë vend për 35 vjet po dalin para drejtësisë. Po dalin para drejtësisë ata që kanë vjedhur popullin më të varfër në Europë. Po dalin para drejtësisë ata që kanë larguar nga Shqipëria miliona shqiptarë në gjithë botën. Po dalin para drejtësisë ata që u kanë mohuar të drejtën e pronës shqiptarëve.
Tani që po flasim, zv.kryeministrja e pandehur dhe me dy masa sigurie, dhe e pezulluar nga gjykata, është në zyrën e kryeministrit. Po bëjnë plane se si ti shpëtojnë drejtësisë. Por, Nuk kanë nga t’ia mbajnë.
Të dashur qytetarë, ky është një proces i pandalshëm. Më në fund, edhe në Shqipëri, vendi i të korrputuarve është para drejtësisë. Edi Ramës dhe Belinda Ballukut i ka ardhur fundi. Tani ka ardhur momenti që Edi Rama të japë dorëheqjen! Edi Ramën e shpëton vetëm arratisja nga Shqipëria!
Nëse ky është një moment tmerri për pushtetarët e korruptuar, nga ana tjetër ky është një moment shprese për Shqipërinë. Shqiptarët nga sot mund të fillojnë të shikojnë dritën në fund të tunelit. Mund të fillojnë të shikojnë nga e ardhmja. Mund të fillojnë procesin e ndërtimit të një shoqërie perëndimore, demokratike, ku qytetarët kanë të drejta.
Ku pushtetarët varen nga votuesit dhe jo votuesit nga pushtetarët. Këtë duhet të bëjmë të gjithë bashkë. Ky është momenti që të shikojmë nga e ardhmja. Do të duhet kohë, do të duhet punë, do të duhet këmbëngulje dhe mbi të gjitha do të duhet besim.
Të dashur qytetarë, ky është momenti për tu shkëputur përfundimisht nga e kaluara. Për të luftuar së bashku për ti dhënë më në fund Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar. Ky është qëllimi i Partisë Mundësia, dhe ftojmë çdo shqiptar që endërron një vend ku mund t’ia dalësh me punë të ndershme, të na bashkoheni”, tha Shehaj.
Lajmi kryesor:
Balluku u pezullua nga detyra/ ‘Mundësia’ protestë te Kryeministria! Bardhi: Fundi i saj, çelje kapitulli












