TIRANE- Ish-gardisti Fatos Skeja, i përfolur për implikime në ngjarjet e 21 janarit dhe pas saj, i akuzuar për gjobën 100 milionë lekëshe ndaj biznesmenit shqiptaro-amerikan, është prangosur dje nga Policia e Tiranës. Bashkë me Skejën, dje u prangos edhe 33-vjeçari Gojart Loci, ndërsa të dy akuzohen për gjobëvënie ndaj biznesmenit nga Kalaja e Dodës, ngjarje kjo e ndodhur në gusht, për të cilën ishte në fuqi një vendim i Gjykatës së Tiranës. Ish-gardisti ka precedentë të shumtë në përballjet gjyqësore si me shtetin, që i kërkoi 24 paga ashtu edhe me familjarët e Hekuran Dedës, një prej të vrarëve më 21 janar 2011, ku fitoi një gjyq për shpifje.

Gjoba 100 milionë
Mes elementëve të dosjes që gushtin e këtij viti u shqyrtua nga prokurorja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj, theksohej se gjithçka nisi në derën e shtëpisë së vëllait të biznesmenit Ramazan Hila, ku kërkoheshin 100 milionë lekë. Bashkë me letrën ishte mbështjellë një plumb, teksa dyshohet se më 20 gusht, rreth mesnatës, në shtëpinë e biznesmenit, në Paskuqan, është vendosur eksploziv, si shenjë paralajmëruese për lekët. Nga ana tjetër, më 7 shtator biznesmenit Hima, pronarit të 3 hoteleve në SHBA i dërgojnë një mesazh kërcënues, ku e lajmërojnë se nëse nuk i dorëzonte lekët në afërsi të komunës Dajt, do ta gjenin kudo që të ishte, duke i përmendur edhe fëmijët. Ish-gardisti Fatos Skeja dhe biznesmeni Ramazan Hima kanë lidhje me njëri-tjetrin, pasi nëna e Skejës është kushërirë e Himës, por kanë pasur konflikt politik në zgjedhjet e 2011-ës, ku në kalanë e Dodës fitoi Partia Socialiste me kryetar komune kushëririn e Himës.

Në pyetje u morën edhe uniformat blu të Njësisë së Operacioneve Speciale “GOS”, që drejtuan operacionin e koduar "Dorëzimi i kontrolluar". Lekët u dhanë dhe çanta u shkëmbye. Kur policia u shfaq autori braktisi çantën dhe makinën, i ndihmuar nga të tjerë. Targa e automjetit të përdorur nga gjobëvënësit që rezulton në pronësi të Xhevahir Litës, ish-prokuror në Kukës, aktualisht prokuror në Shkodër. I pyetur për automjetin Lita ka deklaruar se ia kishte dhënë ish-gardistit, si nder të kërkuar. Ndërsa Skeja ka deklaruar se automjetin ia kishin vjedhur në lagjen ku banonte dhe s'ka lidhje me këtë ngjarje.

Gjyqi për 21 janarin
Ish-gardisti Fatos Skeja e ka hedhur pak muaj më parë në gjyq, vëllain e Hekuran Dedës, një prej viktimave të 21 janarit, duke pretenduar se i kishte cënuar nderin dhe dinjitetin. Zabit Deda e akuzoi Skejën se i kishte ofruar para dhe foton e vrasësit të vëllait dhe në këmbim të tyre duhet të prisnin për ngushëllim kryeministrin e asaj kohe, Sali Berishën, tri ditë pas vrasjeve. Sipas tij, Skeja ka kërkuar nga familja Deda që ata të pranonin Berishën për një kafe ngushëllimi në shtëpi, në këmbim që ai t’i tregonte se kush ishte vrasësi duke i premtuar njëherësh ndihmë ekonomike. Pas këtyre publikimeve, Skeja ka hedhur në gjyq vëllain e viktimës së 21 janarit, duke pretenduar se Zabit Deda me deklarimet e tij i ka cënuar nderin dhe dinjitetin. Fatos Skeja ka qenë bodigard i ish-kryeminitrit Berisha dhe që pas 21 janarit është shndërruar në një personazh të përfolur politikisht.
 
 Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)