Pjesa më e madhe e aksidenteve janë me dëme materiale, ndërkohë që mbeten të larta shifrat me pasojë plagosjen dhe vdekjen. Edhe në muajt janar-shkurt, ka një numër më të lartë aksidentesh, krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Nga rreth 260 aksidente në 2 muajt e parë të 2017-së, gjatë këtij viti në janar-shkurt kanë ndodhur më shumë se 320 aksidente.
Por cilat janë shkaqet e aksidenteve? Duke ju referuar të dhënave të Policisë Rrugore 3 shkaqet kryesore të aksidenteve në vend janë shpejtësia, pakujdesia e shoferëve dhe mungesa e sinjalistikës. Pikërisht dy shkaqet e para janë për faj të drejtuesve të makinave, ndërkohë që problem mbetet edhe mungesa e sinjalistikës në disa rrugë.
Prej më shumë se 3 vitesh, Policia Rrugore ka ndërmarrë nisma të shumta për ndërgjegjësimin e shoferëve, por edhe gjobitjen e atyre që shkelin rregullat. Duke ju referuar të dhënave, duket se shoferët nuk “zënë mend” nga gjobat dhe paralajmërimet e Policisë, pasi numri i aksidenteve në vend është në rritje. Çdo fundjavë Policia zhvillon aksion për alkool dhe shpejtësi dhe mesatarisht vendosen më shumë se 200 gjoba, por përsëri shoferët vijojnë të mos respektojnë tabelat e shpejtësisë dhe të konsumojnë alkool.
d.b/shqiptarja.com

VIDEO








