TIRANË - Pas gjobitjes nga ana e ILDKPIK-ja, me 50 mijë lekë për mos deklarimin e pasurisë, ka reaguar edhe zv/ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, i cili ka theksuar se do denoncojë institucionin e kontrollit të pasurive në Gjykatë.
 
Sipas tij, ky vendim është marrë prej tij, pasi është cënuar emri i tij. Me një deklaratë për median, Hila ka deklaruar se, është njohur nga media për gjobitjen me shumën 50 mijë lekësh.
 
Në deklaratën e bërë nga zv/ministri Hila thuhet: “Saktësoj, se bëhet fjalë për vonesë në dorëzimin e deklarimit të pasurisë. Vonesa ka ardhur pasi ligji për të cilin ekziston ILDKP-ja, nuk hyn në ato ligje që kanë lidhje me detyrën time funksionale, të domosdoshme për t’u njohur”.
“Megjithatë, - shkruan Hila - sqaroj se si Zëvëndësministër, e pranoj pagesën e gjobës për mosdijen time dhe shkeljen e afateve. Brenda dy ditëve do të depozitoj deklaratën pranë institucionit”.
 
Sipas zv/ministri Hila deklaron se, “ILDKP-ja shkel ligjin duke publikuar emrin tim. Këtë hap mund ta ndërmarrë vetëm nëse do të refuzoja deklarimin e pasurisë edhe pas njoftimit zyrtar të vënies së gjobës. Theksoj se ende nuk kam marrë asnjë njoftimin zyrtar. Mesa duket, kohët e fundit, institucionit dhe drejtuesve të saj ju pëlqen prezenca mediatike”.
 
“Ndërkohë, puna e tyre si institucion i pavarur është zbatimi i heshtur i ligjit. Do të ishte mirë të kuptonin se posti i tyre nuk është vendi nga ku jepen spektakle për orën e mbrëmjes”, nënvizon Hila në deklaratën e bërë.
 
“Emri im, nuk mund të bëhet as çimçakiz dhe as trampolinë për karrierën e kujt ka frikë të merret me abuzimet reale. Nuk mund ta lejoj, pasi është kapitali më i çmuar që kam, pavarësisht se nuk shkruhet në asnjë deklaratë pasurish. Ndaj për cënimin e nderit tim, ILDKP-ja do të përballet me mua në dyert e gjykatës”, përfundon deklaratën e tij, zv/ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)