Ministrja theksoi se synimi i opozitës nuk është mbështetja e familjeve në nevojë, por bllokimi i reformave të qeverisë. Sipas ministres Reforma në drejtësi ka nisur të japë efektet e para pozitive dhe ajo tashmë është e pandalshme.
“Në sistemin e ri të drejtësisë, askush nuk do të ketë mundësi ti fshihet drejtësisë, duke përdorur akrobaci procedurale, siç keni bërë deri tani dhe as të përfitojë në kurriz të qytetarëve të pambrojtur dhe pa pushtet ekonomik e politik”, është shprehur Gjonaj, duke i drejtuar në këtë mënyrë një paralajmërim të drejtpërdrejtë kreut të PD.
Më tej, Gjonaj nënvizoi se ndihma ekonomike ka qenë për dy dekada dhe më shumë, një mekanizëm i padrejtë dhe i korruptuar. Sot me skemën e re, falë kësaj reforme, ndihma ekonomike shkon tek më të varfrit dhe garanton parimin e shpërndarjes së drejtë sipas nevojës.
Ministrja më tej i është referuar reformës në drejtësi, si një pjesë e rëndësishme e shtetit social, të cilën tha se po e realizohet për qytetarët, që të mos shpenzojnë më kohë në procese të blera gjyqësore, të mos zvariten më dyerve të gjykatave dhe të rifitojnë të drejtën e tyre të nëpërkëmbur prej dekadash.
d.b/shqiptarja.com












