Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë, njëherësh ish-ministër i Mbrojtjes, deputeti socialist Ilir Gjoni në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" është shprehur se kontrolli parlamentar në ministrinë e Mbrojtjes është i domosdoshëm. Për të, nuk ka dalë vetëm Imami jashtë kontrollit, por ka dalë jashtë kontrollit gjithë qeveria me në krye Sali Berishën. Ai thotë se emërimet dhe shkarkimet në këtë ministri bëhen pa kriter, ndërkohë që rasti i ish-kreut të SHIU-t, bashkëshortja e të cilit sipas Gjonit është ortake në kompaninë më të madhe të tregtisë së armëve, është vërtetë rasti më tipik i abuzimit të kësaj qeverie me pushtetin. Njëherësh kërkon nga Zyla që të sqarojë akuzën sipas të cilës deputetët socialistë, pa dashje po u shërbejnë interesave të agjenturave të huaja. Duke nënvizuar faktin se Berisha nuk e ka për gjë të përdori ushtrinë kundër popullit siç bëri në vitin 1997 ai tha se institucionet që mendon se i ka marrë të gjitha nuk do ta parandalojnë fundin e tij, që për të këtë herë do të jetë vërtetë fund.

Zoti Gjoni! Deputetët socialistë të Komisionit të Sigurisë kanë kërkuar ushtrimin e një kontrolli parlamentar ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Mendoni se gjatë zhvillimeve të fundit, ky kontroll është bërë më i domosdoshëm, pasi duket se Imami ka dalë jashtë kontrollit?
Kërkesa e Komisionit të Sigurisë për të ushtruar mbikqyrje në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendëshme lindi si rezultat i konstatimeve dhe shqetësimeve të kahershme të këtij Komisioni (sidomos të grupit të opozitës) lidhur me zbatueshmërinë e ligjit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe përmbushjen e detyrave të FA dhe Ministrisë së Mbrojtjes për të ngritur nivelin e FA në atë të vendeve anëtare të NATO. Këto shqetësime janë ngritur në vijimësi gjatë veprtimtarisë së këtij Komisionit. Problemi këtu nuk është vetëm i një individi, pra i zotit Imami, i cili gjithësesi mban përgjegjësi direkte për menaxhimin e këtij institucioni. Problemi është më i gjërë e më serioz. Ka të bëjë me menatalitetin dhe filozofinë e kësaj qeverie e cila institucionet shtetërore i ka vënë në funksion të partisë në pushtet që është kthyer në parti-shtet dhe në funksion të interesave fitimprurëse të individëve të caktuar kryesisht të lidhur me rrethin e ngushtë të "Familjes" së kryeministrit. Domosdoshmëria e ushtrimit të mbikqyrjes parlamentare diktohet nga fakti se Ministria e Mbrojtjes drejtohet nga individe të mbërthyer nga trinomi i së keqes që është narcisizmi, makiavelizmi e protagonizmi.

Pra jashtë kontrollit nuk është vetëm Ministria e Mbrojtjes..?
Ketu nuk ka dalë jashtë kontrollit vetë Imami; këtu kanë dalë jashtë kontrollit e jashtë fiqirit e gjithë qeveria me në krye Sali Berishën. Më shqetësues për mua personalisht është fakti që pengesa që i bëhet Komisionit të Sigurisë për të ushtruar mbikqyrje parlementare në institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes bëhet nën petkun e ruajtjes së sekretit dhe nxirret NATO si mburojë përpara. Ky është dëmi më i madh që po i bëhet reputacionit të vendit por veçanërisht atij të NATO. Vendet anëtare të NATO-s parim bazë të tyre kanë kontrollin civil ndaj forcave të armatosura dhe ruajtja e sekretit (aq më tepër kur këtu s'kemi të bëjmë fare me mbikqyrje sekretesh) nuk mund kurrësesi të kthehet në mburojë për ruajtjen e korrupsionit politik, moral e institucional, aq më pak duke abuzuar me NATO-n.

Pas disa emërimeve në krye të ushtrisë, forcave tokësore, detare dhe daljes në lirim të disa gjeneralëve të lartë, mendoni se tashmë ushtria ka dalë jashtë funksionit të saj kushtetuese, ku në shef kabineti bëhet komandat I flotës detare?
Çështja e emërimit apo ç'emërimit të ushtarakëve të lartë është një shqetësim konstant i diksutuar e debatuar mëse një herë në Komisionin e Sigurisë. Problemi, siç e shohim ne, ngërthen disa aspekte shqetësuese. Së pari ka të bëjë me atë që ministri e quan "diskrecion të tij dhe të kryeministrit", pra me dëshirën e tyre për të emëruar a ç'emëruar ushtarakë të lartë në mungesë të plotë qasjeje ligjore, pra në shpërfillje të plotë të ligjit. Kriteri i vetëm përcaktues sipas modelit "të diskrecionit" është besnikëria partiake dhe anësia politike, gjë që bie ndesh me parimet bazë demokratike të funksionimit të FA si një trupë e depolitizuar. Një gjë të tillë e ka deklaruar pa ju dridhur qerpiku fare vetë Ministri i Mbrojtjes në Komisionin e Sigurisë, dhe e dyta ka të bëjë me elementin e korrupsionit që tashmë është kthyer në endemik në këtë Ministri. Ka një shembull klasik të asaj çka unë thashë më lart-dhe është pikërisht rasti i ushtarakut Perikli Koliqi i cili është vlerësuar nga Komisioni i dhënies së gradave i pari për të përftuar gradën gjeneral pasi i plotësonte të gjitha kushtet dhe kërkesat e ligjit, por ndoshta nuk plotësonte kriterin politik. Fakti është se zoti Koliqi (i cili na është drejtuar me leter si kryetarit të Komisionit të Sigurisë ashtu dhe mua) çështjen e tij ia ka adresuar gjykatës dhe gjykata ka dhënë vendim të formës së prerë se atij i takon ligjërisht grada e gjeneralit. Ende sot e kësaj dite ndonëse kanë kaluar mbi dy vjet nga vendimi i Komisionit të Gradave, zoti Kuliqi nuk e ka përftuar atë të drejtë që i takon falë aftësive e përkushtimit të tij.

Emërimi më i fundit në krye të policisë ushtarake të ish-kreut të SHIU-t Zyla, që dha dorëheqjen sepse bashkëshortja ishte ortake me biznesin e armëve, mendoni se përbën një shkelje tjetër ligjore?
Çështja e Ylli Zylajt është një rast tipik se si mund të abuzohet me pushtetin, se si nxitet e promovohet antiligji e anti shteti, se si shpërfillet opinion publik e se si shpërblehen besnikët e partisë, ata që i shërbejnë pushtetit e jo Shtetit. Zoti Zylaj, të paktën zyrtarisht, deklaroi se u dorëhoq për dy arsye-e para për të ruajtur reputacionin e institucionit që përfaqësonte, e dyta për të ruajtur nderin e familjes nga ato që ai i konsideronte akuza të padrejta. Ministri dhe kryeministri e pranuan dorëheqjen e tij formalisht. Sot që flasim nuk dimë se çfarë bëri zoti Zylaj dhe Ministri për të sqaruar "akuzat e padrejta". Ne dimë që Zylaj na u emërua komandant i policisë ushtarake!? Por opinioni publik nuk nuk u sqarua nëse ai ka abuzuar me SHIU-n, nuk di nëse ka abuzuar me postin e tij për ti krijuar përftime bashkëshortes aksionere në kompaninë e cila ndoshta është eksportuesja më e madhe e municioneve e armatimeve shqiptare, nuk di nëse pati një konflikt interesi jo vetëm për faktin se bashkëshortja e drejtorit të SHIU-t është aksionere në këtë kompani, jo vetëm për faktin që aksioneri kryesor është shtetas serb, por dhe për faktin që një gjë e tillë i është mbajtur e fshehtë autoriteteve shtetërore (Inspektoriatit të deklarimit të Pasurive). Ka dhe më.

Po...?
Zoti Zylaj në një letër drejtuar kryetarit të Komisionit të Sigurisë, akuzon deputetët e opozitës se "pa dashje po u shërbejnë interesave të agjenturave të huaja". Kështu është pak a shumë perifrazimi i asaj që merr kurajon të shkruajë ky ushtar i bindur i Imam Saliut. Do ti duhet të japë sqarime deri në një për atë çka ka shkruar të zezë mbi të bardhë dhe të mos mendoj se do të mund të fshihet pas çitjaneve të Imamit. Prandaj është e nevojshme të ushtrohet sa më parë mbikqyrja parlamentare.

Ish-presidenti Moisiu ka deklaruar se ushtria është jashtë kontrollit, ndërkohë që lëvizjet më të fundit, duke shfrytëzuar negativisht hapësirat ligjore i ka krahasuar me ato në gjermani të vitit 1933 kur Hitleri duke shfrytëzuar kushtetutën më të mirë të asaj kohë atë të Vajmarit erdhi në pushtet, përbën një precedent të rrezikshëm dhe për Shqipërinë…? Ka vend shqetësimi i Moisiut...?
Jam i bindur se krahasimi i zotit Moisiu është bërë për të dhënë tërë ngarkesën emocionale dhe seriozitetin e çështjes, por kurrësesi për të bërë një paralele konkrete, pasi të dyja rastet janë diametralisht të ndryshme. Nuk dua të zgjatem në komente të mëtejshme, por mjafton fakti që Forcat tona të Armatosura janë pjesë e strukturave të NATO-s për të thënë se ngjashmëria mes dy rasteve nuk përkon. Shqetësimi i zotit Moisiu dhe ai që ne si opozitë në Komisionin e Sigurisë kemi ngritur, por dhe shqetësimi i mbarë opinionit të përgjegjshëm publik, ka të bëjë me faktin se ka deformim të rrezikshem te demokracisë, të shkeljes së parimeve të saj sidomos parimit të kontrollit civil ndaj forcave të armatosura. Në këtë këndvështrim shqetësimi i zotit Moisiu dhe ai i opinionit publik është legjitim. Për më tepër nuk duhet të harrojmë se ishte ky kryeministër i cili në vitin e mbrapshtë '97 e rrënoi ushtrinë shqiptare duke dashur ta përdorë si kobure në duart e partisë së tij. Por është po kaq e vërtetë se brenda radhëve të FA ka mjaft oficerë e ushtarakë të përkushtuar, atdhetarë e profesionistë që përditë përpiqen (në këtë ambient mbytës) të kontribuojnë me profesionalizëm për ta prezantuar denjësisht ushtrinë shqiptare. Eshtë falë këtyre ushtarakëve dhe sakrificave të tyre që FA ende vlerësohen si një partnere serioze në përmbushje të detyrave kushtetuese. Janë ndërhyrjet politike dhe korrupsioni e nepotizmi ato të cilat ia asfiksojnë frymëmarrjen Forcave tona të Armatosura.

Dhe në fund, si do ta parandalojë PS një rrezikshmëri të tillë, kur ka më pak se një vit nga zgjedhjet parlamentare, dhe Berisha i ka marrë të gjitha institucionet?
Rrugët që do ndjekë opozita janë ato kushtetuese legjitime. Taktikat do të variojnë sipas kushteve e rrethanave. Suksesi i luftës sonë opozitare do të varet nga aleanca jonë me qytetarin, nga aleanca jonë me ushtarakët e ndershëm, nga programi ynë konkret e specifik që adreson nevojat e Forcave tona të Armatosura, nga denoncimi i parreshtur i të gjitha rasteve korruptive. Sa për punën e "marrjes së institucioneve" Saliut mund ti duket se i "ka marrë". Kështu ishte i bindur dhe në 1997. Fundi kësaj radhe do të jetë me të vertetë Fund!

Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)