Gjosha-Hahn:Rekomandimi i çeljes
së negociatave, shtysë për reformat

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, zhvilloi një takim me Komisionerin e BE-së për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn ku ka thënë se rekomandimi për çeljen e negociatave është shtysë për të gjitha reformat në vend. 
Gjosha u shpreh gjatë takimit, se Shqipëria meriton një raport pozitiv për përmbushjen e  5 prioriteteve, nga Komisioni Europian, vjeshtën e këtij viti. Treguesi më i qartë sipas Ministres Gjosha i angazhimit që ka vendi për të avancuar me procesin e integrimit është reforma në drejtësi si themeli i konsolidimit të shtetit të së drejtës.

"Miratimi konsensual i kësaj reforme ishte arritje e madhe për shqiptarët, për të gjitha partitë politike. Gjetja e konsensusit dëshmoi për një vullnet që i shërben zhvillimit të Shqipërisë dhe ne jemi të vendosur të nxisim dialogun politik edhe në vazhdim", tha Ministrja Gjosha.

Ministrja u shpreh se me këtë reformë, vendi plotësoi edhe kushtin madhor për hapjen e negociatave.

"Janë hapa pozitivë që Shqipëria ka bërë dhe ne jemi të bindur se marrja e një rekomandimi për çeljen e negociatave, një raport pozitiv nga Komisioni do ti shërbenin jo vetëm implementimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, por është shtysa më e mirë për zbatimin e të gjithë gamës së reformave të tjera që ne synojmë të ndërmarrim për të forcuar shtetin e të drejtës dhe për të zhvilluar ekonomikisht vendin", tha Ministrja Gjosha.

Komisioneri Hahn shprehu vlerësimet e tij për reformën në drejtësi, duke inkurajuar Shqipërinë për të ecur përpara me procesin e integrimit. Komisioneri u shpreh se përmes rezultateve të reformave Shqipëria do të avancojë në axhendën europiane, si e vetmja rrugë për progres.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave