Gjosha-Hahn: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e qartë


Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, takon Komisionerin e Bashkimit Europian për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn.
TIRANË, 20 Mars /ATSH-Gjergji Mima/ -Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, gjatë vizitës së punës në Bruksel zhvilloi një takim me Komisionerin e Bashkimit Europian për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Tryeza e Dialogut të Nivelit të Lartë ishte çështja e parë që u diskutua gjatë këtij takimi që zgjati rreth 45 minuta. Ministrja Gjosha e informoi z. Hahn për detaje të axhendës së tryezës me të gjithë aktorët, që do të mblidhet në datë 24 mars. Bashkëbiseduesit u ndalën tek procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ministrja Gjosha, e informoi z. Hahn në lidhje me planin e masave të ndërmarra për përmbushjen e 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Europian. Ministrja i bëri me dije Komisionerit Hahn se Udhërrëfyesi i cili do të prezantohet në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë tashmë është përditësuar me masa dhe afate të reja të detajuara për secilin nga institucionet.
Ministrja Gjosha, shprehu angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të realizuar të gjitha reformat në funksion të procesit të integrimit të vendit. Ministrja theksoi se Shqipëria është e vetëdijshme që vlerësimi i procesit , do të bëhet mbi bazën e meritës, çka nxit më shumë qeverinë shqiptare që të plotësojë sa më shpejt detyrat që i janë lënë nga Bashkimi Europian. Ministrja cilesoi se qeveria shqiptare e konsideron procesin e integrimit instrumentin më të rëndësishëm për t'i ofruar një të ardhme më të mirë qytetarëve.
"Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, përgjegjësia dhe puna është bërë akoma edhe më e madhe, pasi me bashkëpunimin dhe mbështetjen e gjithë aktorëve, ne dëshirojmë dhe shpresojmë që të përmbushim të gjitha prioritetet në mënyrë që të kalojmë në fazën e re dhe më të rëndësishme të procesit: hapjen e negociatave. Kjo faze, do të mundësonte vlerësimin e procesit më specifikisht duke ofruar një panoramë edhe më të qartë të ecurisë të Shqipërisë në të gjitha fushat", tha Ministjra Gjosha.
Komisioneri për Politikat e fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, theksoi se në rastin e Shqipërisë, rruga e integrimit është e qartë dhe nuk ka ndikim nga faktorë të jashtëm, apo problematika direkte me vende të tjera.
"Prandaj përqendrimi duhet të jetë në reformat që duhen realizuar brenda vendit në mënyrë që të avancohet me procesin. Ne jemi këtu për t'ju mbëshetur që Shqipëria të ecë përpara në këtë rrugë që ka nisur. Shpejtësia me të cilën do të avancohet, varet nga aftësia e Shqipërisë për ti realizuar këto reforma të cilat ne do t'i shohim me kujdes", tha Komisioneri Hahn.
Komisioneri, nënvizoi se rezultatet konkrete që duhet të ketë Shqipëria në konsolidimin e shtetit të së drejtës, janë thelbësore për të avancuar me procesin e integrimit.
"Gjithashtu është më shumë rëndësi që të ecet përpara me inplementimin e legjislacionit, pasi procesi i integrimit për çdo vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian nuk ka të bëjë vetëm me përshtatjen e legjislaçionit të një vendi me atë të BE-së, por me zbatimin e tij në praktikë", u shpreh Komisioneri Hahn.
Bashkëbiseduesit u ndalën edhe të ndërlidhja e rajonit të Ballkanit me Europën, duke shprehur dakordësinë se qasja e re pas procesit të Berlinit është nxitja më e mirë për të thelluar bashkëpunimin e këtyre vendeve me njëratjetrën. Përmes projekteve të përbashkëta,krijohet një marëdhënie e re jo vetëm mes këtyre vendeve, por edhe mes tyre e Bashkimit Europian.
/f.n/

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?