Gjosha letër Hahn: Bordi i ONM
s'parashikohet në Kushtetutë

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mbështet qëndrimin e ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili, lidhur me ngritjen e Bordit të ONM të cilët do të monitorojnë procesin e Vettingut.
 
Bordi i ONM-së u ngrit një javë më parë pas mbërritjes në Shqipëri të ekspertëve nga BE dhe SHBA, të cilët kryesohen nga
 
Përmes një letre drejtuar komisionerit për Zgjerim në BE, Johannes Hahn, Gjosha thekson se bordi i ONM-së nuk parashikohet në Kushtetutë.
 
"Në asnjë moment, as Kushtetuta dhe as dispozitat ligjore nuk përcaktojnë ngritjen e një strukture mbi Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit siç parashikohet në shkresën e znj. Calavera, Bordi i Menaxhimit të ONM-së", thuhet në letrën e Gjoshës drejtuar Hahn.
 
Letra e Gjoshes per HAHN kunder OMN:
"Z. JOHANNES HAHN
KOMISIONERI EUROPIAN I POLITIKËS FQINJËSORE DHE NEGOCIATAVE PËR ZGJERIM
KOMISIONI EUROPIAN
 
I dashur z. Komisioner Hahn,
 
Në cilësinë e Ministres së Integrimit Europian, dëshiroj të ndaj me ju disa shqetësime të ngritura së fundmi mbi një shkresë të dërguar nga Znj. Calavera në datën 7 shkurt 2017, në cilësinë e kryetares së Bordit të Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, shkresë kjo e cila më është bërë e ditur nga media shqiptare dhe më pas i njëjti shqetësim më është përcjellë me shkresë zyrtare Nr. Prot. 1094/1, datë 14.02.2017 nga Ministri i Drejtësisë z. Petrit Vasili.
 
Korrespondenca e sipërcituar e datës 7 shkurt, ngre pikëpyetje të mëdha lidhur me komunikimet zyrtare të mbajtura, duke lënë jashtë informimit një sërë institucionesh kyçe në këtë proces si Presidentin e Republikës, Ministrinë e Drejtësisë por edhe Ministrinë e Integrimit Europian si interlokutore kryesore mes Komisionit Europian dhe Autoriteteve Shqiptare.
 
Bazuar shkresës së dërguar nga Ministria e Drejtësisë, komunikimi i znj. Calavera ngre gjithashtu një shqetësim mbi ligjshmërinë e procesit të funksionimit dhe strukturimit të asaj pjese të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që sipas dokumentave të sipërcituar është cilësuar si Bordi i Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
 
Kushtetuta e Shqipërisë shpreh qartësisht se “Vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse”. Në asnjë moment, as Kushtetuta dhe as dispozitat ligjore nuk përcaktojnë ngritjen e një strukture mbi Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit siç parashikohet në shkresën e znj. Calavera, Bordi i Menaxhimit të ONM-së.
 
Të gjithë ekspertët që do të jenë pjesë e ONM-së, në nivel profesional dhe teknik, të cilët do të garantojnë një proces transparent të rivlerësimit paraprak të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri, janë jo vetëm ligjërisht të mirëpritur por do të kenë gjithashtu të gjithë mbështetjen institucionale dhe logjistike për të kryer detyrën e tyre siç e parashikon Kushtetuta dhe ligji.
 
I dashur zoti Komisioner,
 
Ju keni qenë një ndër aktorët kyç në arritjen e konsesusit historik të reformës në drejtësi të 21-22 korrikut 2016, ndaj është e rëndësishme që kjo frymë konsensuale të vijojë edhe përgjatë implementimit të kësaj reforme, jo vetëm si një ndër kushtet kryesore të çuarjes përpara të procesit të integrimit të Shqipërisë por edhe të ndërtimit të një shteti ligjor demokratik me institucione funksionale dhe standarde europiane.
 
Qytetarët shqiptarë janë ata që i kanë dhënë një besim të plotë kësaj reforme përmes bindjes se Bashkimi Europian do të jetë garantuesi i transparencës, parimeve të gjithëpërfshirjes, paanshmërisë dhe zbatimit pa kompromis të ligjit.
 
Bazuar sërish në shqetësimet e ngritura nga Ministria e Drejtësisë e cila propozon “kthimin në rrugën e Kushtetushmërisë dhe ligjit  të kësaj çështjeje me qëllim diskutimin e problematikës së lindur me krijimin e këtij Bordi”, në cilësinë e Ministres së Integrimit Europian do të kërkoja angazhimin tuaj personal në nisjen e një komunikimi zyrtar me përfaqësimin e të gjithë aktorëve kryesorë lidhur me reformën në drejtësi për të bërë të mundur vijueshmërinë me korrektësi të këtij procesi".


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave