Gjosha në Francë: Shqiptarët besojnë tek projekti europian

/ATSH-Gjergji Mima/ -Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, gjatë vizitës së saj zyrtare në Francë, pati një dëgjesë me anëtarët e Komisionit të Çështjeve Europiane të Asamblesë Kombëtare franceze.
Fillimisht, ministrja Gjosha bëri një prezantim të punës së bërë nga qeveria shqiptare, për të avancuar me procesin e integrimit dhe sfidat që ka Shqipëria aktualisht në këtë proces.
Ministrja Gjosha shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha reformat dhe detyrimet, në mënyrë që vendi të kalojë sa më shpejt në fazën e radhës që është hapja e negociatave me Bashkimin Europian.
"Sigurisht që hapja e negociatave, nuk do të ishte për ne vetëm një datë tjetër e procesit. Hapja e negociatave duke u vlerësuar sipas meritës, me përmbushjen e reformave të kërkuara, do të ishte për ne një shtysë më e madhe për të ndërtuar një demokraci më të konsoliduar në vendin tonë. Ne procesin e integrimit e konsiderojmë një proces transformimi dhe si i tillë duam që qytetarët shqiptarë të kenë nxitjen e nevojshme për të besuar njësoj si tani tek ky proces", tha ministrja Gjosha.
Më tej, ministrja Gjosha iu përgjigj pyetjeve nga anëtarët e Komisionit, të cilët shprehën interes për masat e marra në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, qasjen që do të ketë qeveria shqiptare për krizën e emigrantëve në Europë, ecurinë e reformës në drejtësi, bashkëpunimin rajonal në kuadër të procesit të Berlinit dhe masat që po merren për zhvillimin ekonomik të vendit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Sa i përket fluksit të emigrantëve nga Siria, ministrja Gjosha theksoi se Shqipëria do veprojë në mbështetje dhe në përputhje me planin e Bashkimit Europian për menaxhimin e kësaj krize, duke treguar solidaritetin maksimal, nëse një fluks emigrantësh, mund të kalojë përmes Shqipërisë.
Në lidhje me luftën kundër terrorizmit, ministrja Gjosha u shpreh se bashkëpunimi rajonal dhe më gjerë është intensifikuar në këtë drejtim, përmes shkëmbimit të informacionit dhe zhvillimit të planeve operative e strategjike, në mënyrë që të parandalohet rekrutimi i të rinjve në celulat terroriste.
Duke iu përgjigjur interesit të anëtarëve të komisionit për mbështetjen e publikut dhe opozitës në procesin e integrimit, ministrja Gjosha theksoi se të gjitha palët politike, e gjithë shoqëria shqiptare dëshirojnë ta shohin sa më shpejt Shqipërinë pjesë të Europës së bashkuar dhe janë bashkë në këtë aspiratë të madhe të vendit. 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Morali fake i gazetarëve inkuizitorë që janë opozitarë në Tiranë dhe qeveritarë në Prishtinë