TIRANË, 10 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ -Takimin e fundit gjatë vizitës së saj në Mbretërinë e Bashkuar, Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, e zhvilloi me Drejtorin e Përgjithshëm të Emigracionit dhe Grupit të Politikave Ndërkombëtare, Mike Anderson. Anderson vlerësoi vizitën e Ministres së Integrimit Evropian dhe u shpreh se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur. “Jemi të prirur të shohim rezultatet dhe jemi duke studiuar me kujdes progres-raportin. Vizita që patëm në Tiranë para pak javësh ishe me mjaft interes për të parë nga afër punën e qeverisë”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Emigracionit dhe Grupit të Politikave Ndërkombëtare. Ministrja Gjosha e informoi mbi planin e masave të ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre muajve, duke rikonfirmuar angazhimin e saj për vijimësinë e të gjitha reformave që i shërbejnë vendit. “Progres-raporti i Komisionit Evropian, vlerësoi progresin e shënuar deri tani, por për ne ky raport është një nxitje edhe më e madhe që të mos ndalemi për asnjë cast dhe të vazhdojmë me vendosmëri t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, tha Ministrja Gjosha. /a.ke/
/Shqiptarja.com









