Duke folur mbi perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor, Gjosha u shpreh se sot këto vende kanë ende një sërë problemesh delikate, që me ndihmën e menaxhimit të ndërkombëtarëve mund të bëhen më të lehta.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor, për shumë arsye nuk i përballojnë dot vetëm të gjitha sfidat. Ato, kanë nevojë për ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për t’i zhvilluar dhe forcuar lidhjet e tyre aktuale, dhe për të formuar rrjete pragmatike rajonale, për bashkëpunim në çështje praktike”, tha Ministrja Gjosha.
Duke e cilësuar si një proces transformues, Ministrja Gjosha nënvizoi se përpjekjet e bëra në drejtim të integrimit në BE, krijojnë kushtet e një ekonomie moderne tregut dhe rrisin kapacitetet për të konkurruar brenda BE-së.
“Ne jemi të vetëdijshëm, se Europa sot më shumë se kurrë, ka nevojë para së gjithash të vendosë rregull brenda vetes, për një debat të brendshëm, për zgjidhje afatgjata. Por nga ana tjetër, si vende aspirante për të qenë pjesë e BE-së, ne na takon të bëjmë maksimumin duke thelluar reformat, duke mbajtur sytë nga e ardhmja, përtej problemeve të BE-së sot”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja theksoi se brenda familjes europiane, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë një kthinë e Europës. Popujt e këtyre vendeve pavarësisht gabimeve, problemeve janë me shpirt, kulturë, mentalitet europian.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com