BRITANI E MADHE- Një i ri ra në pranga ditën e sotme pasi hodhi vezë në drejtim të Mbretit Charles III dhe gruas së tij, Camilla, teksa ata përshëndetën turmat gjatë vizitës së tyre në York.
Sipas "Daily Mail", i riu u dëgjua duke bërtitur se "Britania ishte ndërtuar mbi gjakun e skllevërve" pak para se të gjuante me vezë në drejtim të çiftit mbretëror.
Oficerët e policisë të pranishëm arrestuan menjëherë protestuesin, nën brohoritjet e qytetarëve që ishin mbledhur për të parë Charles dhe Camilla dhe të zemëruar bërtisnin "turp të keni" dhe "Zoti ruajt mbretin". Mbreti britanik, megjithatë, reagoi me qetësi ndaj incidentit, duke parë vetëm për një çast poshtë për të parë se çfarë i kishte “zbarkuar” pranë këmbëve.
Charles III dhe gruaja mbretërore vizituan sot Jorkun për inaugurim të një statuje të Elizabeth II. Pas incidentit, ata u takuan me kryetarin e bashkisë dhe zyrtarë të tjerë të qytetit. Identiteti i të riut rebel mbetet i panjohur.