TIRANE- Njerëzit që duhet të shqetësohen për Sigurinë ne vend, gati sa nuk kapen me grushta në Kryesinë e Kuvendit. “Me kë po flet ti? Me kë po flet? M’u zhduk” thotë ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka duke iu drejtuar anëtarit socialist në Komisionin e Sigurisë Pjerin Ndreu. Ndërsa me ndërhyrjen e Gardës për shmangien e përplasjes, në momentin kur Ndreu po dilte nga dera e sallës dëgjohet reagimi i tij drejtuar Nokës, duke i thënë “halabak”. Noka nuk ka kursyer sharjet edhe në drejtim të ministrit Tahiri, duke e quajtur "karagjoz".

Kjo ka qenë klima e krijuar në Komisionin e Sigurisë në ditën e raportimit të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Përplasja verbale mes dy anëtarëve ka vijuar gjatë gjithë mbledhjes së sotme, ndërsa më e fortë ajo ka qenë  në përfundim të Komisionit ku është dashur ndërhyrja e Gardës për të ndalur debatin, ndërsa deputetët kanë shmangur përplasjet fizike mes palëve.
 
Por debati i fortë mes ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka dhe anëtarit socialist në komision Pjerin Ndreu, nuk ka qenë i vetmi, pasi e gjithë mbledhja e kësaj të marte ka qenë e ndezur, duke ndërprerë disa herë edhe fjalën e ministrit Tahiri.

E gjitha ka ndodhur brenda në ambientet e komisionit të Sigurisë ku Saimir Tahiri ishte thirrur në një seancë dëgjimore për vrasjen e dy vëllezërve në kufi me Greqinë, por dhe për situatën kriminale në vend.

DEBATI NOKA-NDREU NË KOMISIONIN E SIGURISË
Ndreu: -Je injorant ore është në varësi të prokurorit
Noka: -Edhe në varësi të ministrit të Brendshëm
Ndreu: -Ik ore, e ke gabim
Noka: -Or ti e ke gabim
Ndreu: -Ikë ore e ke gabim, jeni të dy asnjeri s'merrni vesh
Noka: -Ashtu e gjykon ti, s'paska varësi nga ministri i Brendshëm
Noka: -Boll o boll, po ik o qërohu ti, s'merem me ty

Ndërsa Noka debaton, vijon debati. Ndërkohë që kryetari i Komisionit thotë se nëse vijojnë debatet do të jetë i detyruar të ndërpresë mbledhjen.
Ndreu: -O ti qyravec
Ndreu: -O ti qyravec, mos fol me mua me atë gjuhë, more vesh o.
Braho: -Po të vazhdojë kështu unë jam i detyruar ta ndërpres.

NOKA “SULMON” TAHIRIN, E QUAN “KARAGJOZ”
Gjatë Komisionit të sotëm të Sigurisë, dëbatet nga anëtarët kanë shkuar dhe më tej, kur pjesë e debateve janë bërë dhe akuzat e sharjet si në këtë rast kur ish-ministri Noka e cilëson ministrit aktual Saimir Tahiri "Karagjoz". Mes kësaj situate, Noka ka kërkuar zbardhjen e vrasjes se 2 vëllezërve Çollaku në kufi.

Braho: -Lëre tashi, nëse ti do të vazhdosh kështu une e mbyll mbledhjen e komisionit.
Noka: -Ti nuk tregove respekt që atë ditë që të thirrëm këtu. Erdhe një muaj më vonesë. Duhet të kishe ardhur këtu i përgatitur me të gjitha informacionet. Duhet të kishe ardhur këtu me dosje, me dokumente, me të gjitha me përralla, dhe qesh, dhe zgërdhihesh. Vriten dy shqiptarë dhe ti zgërdhihesh. S’të vjen turp, s’të vjen.
Tahiri: -Zoti kryetar, do të më falësh një minutë.
Braho: Uë jam këtu që të drejtoj këtë Komision dhe jam i zoti t’ia mbledh edhe Flamurit.
Tahiri: Nuk kisha ndërmend të qeshja, në rast se nuk do të më bënte për të qeshur thellësia e mendimeve të tua.
Noka: -Ti je një karagjoz, ti je një gjytyrym. Janë vrarë dy shqiptarë, e ti ri si karagjoz. A keni marrë akt eksperize zoti minister nga organet e specializuara greke në lidhje me këtë ngjarje. Cili është versioni zyrtar që keni marrë ju. Keni një muaj e gjysmë që jeni në pritje dhe sot duhet të ishit përgatitur me të gjitha. Jo të më vish të më lexosh komunikatën e policisë.
Tahiri: -Policia e Shtetit i ka kryer detyrat një për një sipas përgjegjësive të veta. Nëse kërkoni informacion shtesë përtej asaj që ka policia, këtu duhet të vijë Prokurori i Përgjithshëm ose një institucion tjetër, por mos më detyroni të përgjigjem për gjëra që nuk më takojnë.  Koha kur aktet e eksperimit i bënte ministria e Brendshme dhe Policia, që ju kujtohet juve fort mirë ka kaluar, dhe koha kur policia vriste vetë dhe pastaj bënte aktet e eksperimentimi ka kaluar. E mbani mend 21 janarin dhe ju kujtohet kjo.

Redaksia online
(e.s/sg/shqiptarja.com)