"Nuk kam asnjë problem me asgjë që involvon ose kërkon viktimizimin tim personal që ndërlidhet me Kosovën dhe gjithmonë jam i gatshëm të ndaj fatin me popullin tim këtu". Kështu ka deklaruar një ditë më parë nga veriu i Mitrovicës i ashtuquajturi shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, gjatë vizitës që ka bërë në dy ndërtesat, investim i Qeverisë së Serbisë, të dedikuara për familjet serbe që i përkasin kategorisë së ndjeshme sociale. Ai tha para gazetarëve se me mbështetjen e Qeverisë së Serbisë si në banim, bujqësi etj., dërgohet porosi e qartë te serbët për një perspektivë më të mirë në këto hapësira.
Sipas tij, Prishtina nuk ka qëllim serioz për formimin e Asociacionit të komunave serbe, mirëpo, siç u shpreh ai, përfaqësuesit serbë do të presin afatin e caktuar nga bashkësia ndërkombëtare. Ai nuk ka precizuar nëse serbët do ta formojnë vetë Asociacionin në rast të dështimit të formimit të tij brenda afatit kohor të përcaktuar nga ndërkombëtarët. Ndërkaq, kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiç, ka porositur shqiptarët të mos paragjykojnë se gjithçka që është e mirë për serbët, nuk është e mirë për shqiptarët dhe anasjelltas.
Ai potencoi se Bashkësia e komunave serbe do të jetë më e fuqishme se sa Republika serbe në Bosnjë, por në aspektin ekonomik. Gjuriç ka vizituar edhe birrarinë e re në fshatin Bajnskë, si dhe punimet në objektet që po ndërtohen në kuadër të kompleksit ‘Rajska Banja’.
Ndryshe, dy ndërtesat në veri të Mitrovicës kanë sipërfaqe nga rreth 1 mijë metra katrorë, të cilat posedojnë nga 12 banesa dhe mjetet për ndërtimin e tyre në vlerë prej 64 milionë dinarë, ose mbi 542 mijë euro janë siguruar nga e ashtuquajtura Zyra e Kosovës pranë Qeverisë së Serbisë, ndërsa birraria në Banjskë i ka kushtuar kësaj zyre 25 milionë dinarë ose mbi 211 mijë euro.
Komento