Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi dhe deputetja Mesila Doda mbështesin nismën e ministrit të Drejtësisë së Estonisë për ngritjen e pltaftormës europiane për dënimin e krimeve të komunizmit, si dhe ngritjen e Gjykatës Ndërkombëtare që do të quhet Nuremberg 2.
 
Deputetja Doda thotë se përvçse kanë nisur amendamentet përkatëse ligjore në Kuvend, do t'i dërgohet një kërkesë zyrtare për këtë çështje edhe ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.

"Kemi rënë dakort në parim bashkë me Idrizin që të paraqesim amendamentet si pranë komisionit hetimor ashtu edhe pranë sekretarisë së kuvendit. Dhe fill pas kësaj do kemi edhe hapa të tjerë siç është ai i kërkesës së ministrit të Drejtësisë që t'i bashkangjitet nismës për dënimin e krimeve të komunizmit," thotë deputetja Doda.
 
Ka ardhur koha që vendi të shkëputet nga e kaluara, pasi sipas Mesila Dodës edhe krimi dhe korrupsioni i kanë rrënjët te ai regjim.
 
"Mos harrojmë që shumë nga problemet që janë sot janë për shkak të mentalitetit të kaluar i cili nuk është shkëputur kurrë në organet më të larta shtetërore. Krimi dhe korrupsioni i kanë rrënjët shumë thellë, i kanë rrënjët në ideologji të kaluara në një shtet i cili ishte bazuar dhe themeluar mbi krimin," shprehet Doda.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)