Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë zbardhur të plotë vendimin e arrestit me burg, që i hap rrugë ekstradimit të ish-oficerit të SHIK-ut Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, në vitin 1995.

Vendimi i marrë nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit të cilët linin në burg Kumbaron është argumentuar si i drejtë nga kjo gjykatë. Vendimin e saj kjo gjykata çmon si të drejtë edhe për faktin se i pandehuri Kumbaro vijon t’i fshihet drejtësisë, me qëllim shmangien nga hetimi dhe gjykimi duke ndërruar identitet dhe duke përdorur dokumente të një shtetasi kosovar.

Gjatë shqyrtimit të kësaj cështje Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Krimeve të Rënda të 5 janarit të 2010 duke i hapur kështu rrugë ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.

I shpallur në kërkim nëpërmjet një urdhër-arrestit të lëshuar më 1 dhjetor nga policia e kryeqytetit, Ilir Kumbaro nuk është bërë më i gjallë që ditën kur nuk u paraqit në seancën e rradhës në Gjykatën “Uestminster”, për esktradimin në Shqipëri.