Kur kanë kaluar më shumë se dy vite e gjysmë nga vdekja e zhytëses britanike, Rebecca Gannon në Gjirin e Sarandës ende rrethanat mbeten të paqarta. Me argumentin se nuk është përcaktuar përgjegjësia penale e të pandehurit Saimir Kushova, Gjykata e Sarandës vendosi të kthejë për plotësim dosjen e prokurorisë, pasi hetimi i deritanishëm është i cunguar.
Report Tv ka siguruar një kopje të vendimit, ku thuhet se prokuroria duhet të kryejë një akt-ekspertim me specialistë të Federatës Shqiptare të Zhytjes, për të analizuar nëse janë ndjekur protokollet e sigurisë në zhytje. Gjithashtu, gjyqtari gjyqtari Mikel Hysometaj i la detyre prokurores Valbona Maja të sqaroje nëse ka qenë i licencuar Saimir Kushova për te bere ekspeditën me te turistet e huaj.
Në dosje është administruar dhe dëshmia e babait të të ndjerës, George Gannon, i cili pretendon se Rebecca humbi jetën pasi nuk iu dha ndihma e shpejtë.
“I pandehuri nuk kishte veshjet e duhura. Kanë qenë 18 veta që do zhytësin dhe vetëm dy instruktorë. Vajza ime u zhyt bashkë me partnerin e saj, i cili pati të njëjtin problem dhe doli... Ajo ka dalë mbi ujë, kërkoi ndihmë, dhe personi që shkoi në ndihmë nuk kishte veshjen e duhur. U deshën 25 minuta që të vishej dhe zhytej. Vajza e ka shtypur butonin e jelekut të sigurisë por nuk ka punuar”.
Marrë shkas nga kjo dëshmi, gjykata i la detyrë prokurorisë të kryejë simulim real për të matur kohën e ndërhyrjes në një rast emergjence. Te gjitha këto hetime duhet te kryhen brenda një muaji.
Rebecca Gannon humbi jetën më 19 shtator 2022, teksa merrte pjesë në një ekspeditë zhytje të organizuar nga Saimir Kushova në Sarandë. Dyshohet se gjatë zhytjes u bllokua bombola e oksigjenit, ajo arriti të dalë në sipërfaqe dhe kërkoi ndihmë, por nuk mundi të shtypte butonin e emergjencës që aktivizon jelekun e shpëtimit, ndërsa i dashuri i saj tha se varka ndodhej 30 metra larg.
Sakaq, i pandehuri, Saimir Kushova aktualisht ndodhet ne një burg të Norvegjisë i dënuar për trafik droge ndërsa në Sarandë po hetohet ne mungesë për veprën penale “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Në 2022, kur u ndalua për vdekjen e zhytëses britanike, gjykata e Sarandës e la me mase sigurie “detyrim paraqitje” përkundrejt garancisë pasurore. Kushova u largua nga Shqipëria për te rene ne prangat e policisë norvegjeze ne 2023-shin.
Pjesë nga vendimi i Gjykatës së Sarandës:
Të kryhet një akt ekspertimi nga një specialist me njohuri të posaçme në fushën e zhytjes pranë Federatës Shqiptare të Zhytjes, për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve:
1.1 Cili është protokolli i zhytjes, referuar nivelit të certifikimit në këtë sport të së ndjerës Rebecca Gannon? (Sipas formularit “Diver Registration Form”, rezulton se agjencia e përzgjedhur e zhytjes është PAD dhe niveli i certifikimit është OWD).
1.2 Sipas akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, a kanë qenë të licencuar dhe brenda kushteve teknike organizatorët e zhytjes?
1.3 A e kanë ndjekur organizatorët protokollin e zhytjes? Nëse po, si? Nëse jo, cilat janë shkeljet e evidentuara?
1.4 Cili ka qenë personi përgjegjës për ndjekjen e sigurisë së zhytësve gjatë realizimit të këtij procesi?
1.5 A ka një protokoll personi përgjegjës për sigurinë e zhytësve, që duhet të ndjekë për të qenë në gjendje gatishmërie në çdo rast? Nëse po, cili është ky protokoll? Nëse jo, të përshkruhet me detaje se ku duhet të qëndrojë personi përgjegjës për sigurinë dhe cilat janë masat që ai duhet të marrë deri në përfundimin e procesit të zhytjes.
1.6 Cila është koha që i nevojitet një personi për të veshur kostumin e zhytjes në kushte alarmi apo kërkese për ndihmë (nëse kostumi nuk është veshur më herët)? Përgjigjja e kësaj pyetjeje duhet të arrihet përmes një simulimi në kohë reale nga specialistët, në kushte të ngjashme me ato të një kërkese për ndihmë, duke matur dhe regjistruar kohën edhe me pamje filmike.
Gjykata evidenton se dhënia e këtyre përgjigjeve nga organi i akuzës përcakton drejtimin e mëtejshëm të hetimeve për këtë çështje. Në këtë kontekst, drejtimi i hetimeve në vijim do të jetë i kanalizuar – por jo i kufizuar – te dhënia e përgjigjeve për pyetjet e sipërcituara nga ana e gjykatës, me qëllim arritjen në përfundimin nëse i pandehuri e ka kryer apo jo veprën penale për të cilën akuzohet.
Për një hetim efektiv, në kuadër të një procesi të rregullt dhe të drejtë ligjor, brenda një afati të arsyeshëm kohor, veprimet hetimore të sipërpërmendura duhet të kryhen brenda një muaji.
Vendimi i gjykatës së Sarandës
Komente

