Gjykata: Greva e jashtëligjshme
Tufa: Do t'i nxjerrin me dhunë

Gjykata: Greva e jashtëligjshme <br />Tufa: Do t'i nxjerrin me dhunë
TIRANE -Në ditën e 26 të grevës së urisë, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e policisë për shpërndarjen e saj. Vendimi i marrë rreth orës 10:00 nga Gjyqtarja Arjana Caco tensionoi gjatë gjithë ditës situatën e grevistëve duke rënduar së tepërmi gjëndjen e tyre shëndetësore dhe psikologjike.  Madje një grevist, Fatmir Lamaj, shfaqi shqetësime kardiake vetëm pak minuta pasi mësoi për vendimin. Ndërkohë që sot në mbrëmje pranë çadrave është rikthyer Gjergj Ndreca, grevisti i parë që ndërmori tentativën e vetëflijimit.

Të indinjuar nga indifernenca e qeverisë për të dialoguar dhe pas vendimit, 7 grevistët kërcënojnë se do të vetëflijohen, madje në orët e pasdites njëri prej tyre tha se do të hidhnin shortin e vdekjes duke u vetëflijuar një nga një me short ashtu siç tentuan të bënin 2 prej grevistëve Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko.

Që prej orës 15:00 policia mban në dorë një vendim ku i jepet e drejtë për të shpërndarë,për arsye sigurie, grevën e urisë të vendosur në rrugën “Hiqmet Delvina”. Në vendimin e saj Gjykata argumenton se "incidentet e fundit me vetedjegie kanë vërtetuar se mund të vihet në rrezik jeta dhe shëndeti i pjesëmarrësve në greve, prandaj greva duhet shpërndarë."

Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politikë por dhe një nga koordinatorët e grevës së urisë Skënder Tufa thotë se policia do të ndërhyjë në mesnatë për të nxjerrë grevistët nga çadra, por burime nga policia bëjnë të ditur se nuk do të ndërhyhet me dhunë. 7 grevistët, po qëndrojnë në ambientet e cadrave të cilat janë të rrethuara nga policia në pritje të ekzekutimit të vendimit për largimin e tyre.


ARRESTOHET ASLLAN PATRIOTI ME AKUZËN E VJEDHJES ME ANË TË MASHTRIMIT
Ora 23:30 Asllan Patrioti, koordinator i grevës së urisë së ish-të përndjekurve politik është vënë në pranga nga policia e Tiranës, por arrestimi i tij nuk ka lidhje me grevën. Bëhet fjalë për një tjetër ngjarje, të ndodhur në qershor të këtij viti. Asllan patrioti akuzohet për vjedhje me anë të mashtrimit. Patrioti u arrestua në kushtet e flagrancës pasi i ka marrë me anë të mashtrimit dhe kërcënimit shumën prej 700 euro shtetasit Italian me inicialet M.N. Në muajin qershor të këtij viti shtetasi italian me inicialet M.N ka denoncuar vjedhjen e makinës së tij e cila u gjend pas disa ditësh nga komisariati numër 4. Shtetasi italian pas gjetjes së makinës ishte nën presion nga Patrioti për të paguar pasi ky i fundit pretendonte se kishte kontribuuar në gjetjen e makinës. Në zbatim të urdhrit të prokurorisë u finalizua arrestimi i Asllan Patriotit. Shuma në euro e sekuestruar dhe provat filmike i janë dërguar prokurorisë për hetim.

ASLLAN PATRIOTI SHOQEROHET NE POLICI
Ora 21:20
Koordinatori i grevës së urisë së ish të burgosurve politik, Asllan Patrioti është shoqëruar nga policia në ambientet e drejtorisë së policisë. Ende nuk dihen motivet e shoqërimit të tij. Ndërkohë që shoqërimi i Asllan Patriotit në polici u bë gjatë kohës që pranë çadrave të grevistëve u rikthye Gjergj Ndreca për të përshëndetur miqtë e tij e për t'i premtuar se do t'i rikthehet sërish grevës pasi gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet.

GJERGJ NDRECA NGA GREQIA MENJEHERE PRANE CADRES, MBESHTETJE SHOKEVE
Ora 21: 25
“Do t’i bashkohem grevës dhe do ta vazhdoj deri në flijim”. Është kjo deklarata e Gjergj Ndrecës, menjëherë pas kthimit të tij nga spitali i Selanikut ku dhe mori kurim më të specializuar pas plagëve të marra nga tentativa për tu vetëflijuar duke u vetëdjegur me benzinë. Menjëherë pas kurimit Gjergj Ndreca është rikthyer sërish pranë çadrave ku po zhvillohet greva e urisë, këtë radhë për të mbështetur shokët e tij e për t’i thënë se së shpejti do t’i bashkohet grevës së tyre. Ai ka pyetur me emra për të gjithë ish të përndjekurit politik të cilët janë në grevë dhe për gjendjen e tyre shëndetësore. Ndreca u njoftua se gjykata e Tiranës e shpalli sot të paligjshme grevën e tyre dhe tha mbi këtë fakt se e vetmja gjykatë që ata njohin është ajo Evropiane. Ai sqaroi miqtë e tij se do të kurohet nga një mjek privat për shkak të gjendjes ende të rëndë shëndetësore, por se do të vazhdojë para me grevën. Ai u dërgua para disa ditësh drejt Greqisë, ndërkohë që transportimi i tij drejt shtetit helen u ndërmjetësua nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu.

TUFA: SOT DO NA NXJERRIN ME DHUNE NGA CADRAT, GREVE E RE TE AMBASADA AMERIKANE

Ora 19:20
Kreu i shoqatës së ish të burgosurve politik dhe njëherësh koordinatori i grevës së urisë së kësaj shtrese shoqërore, Skënder Tufa tha se një vatër e re greve do të vendoset pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë. Kjo deklaratë vjen pasi sipas tij, policia mund të ndërhyjë gajtë mesnatës për të nxjerrë me dhunë grevistët nga çadrat e stacionuara te “Komuna e Parisit”. Tufa sqaroi se kanë zgjedhur pikërisht këtë vend për të zhvilluar grevën e tyre të re, pasi sipas tij kanë marrë kërcënime nga persona civilë dhe duan të jenë të mbrojtur nga ndërkombëtarët. “Mund të na rrezikohet jeta, do kërkojmë mbrojtje edhe për familjet tona se çdo gjë mund të bëhet. Jemi kërcënuar, kemi presione, janë duar të fshehta që nuk dalin drejtpërdrejtë, s’na kanë kërcënuar me uniforma, kanë qenë civil. Kërkojmë mbrojtje nga ndërkombëtarët”, deklaroi për mediat Skënder Tufa.

PATRIOTI: KEMI LISTAT, NE GREVEN E RE DO JEMI 15
Ora 19:15
Koordinatori i grevës së urisë së ish të burgosurve politik, Asllan Patrioti foli me nota pesimizmi sa i përket uljes së kryeministrit Berisha për të biseduar me ta. Ai tha se ka rreth një muaj që i bën thirrje Berishës për të bërë negociata. “Vendimi i gjykatës për t’i dhënë fund grevës është dënim me vdekje për ne. Sepse kryeministri tha që nuk do të na lëvizin nga greva. Malësori ka fjalën e vet po ky ka dalë nga zakonet nuk është malësor.”, u shpreh Patrioti. Nga ana tjetër koordinatori i grevës, Patrioti foli edhe mbi zhvillimin e një greve ë re, duke thënë se numri i grevistëve në të, "nga 8 do të shkojë në 15".

GREVISTI BITURKU: DO HEDHIM SHORTIN E VDEKJES, POR GREVEN NUK E LEME
Ora 17:30
Grevisti, Afrim Biturku, shprehu vendosmërinë për të vazhduar grevën deri në përmbushjen e kërkesave nga ana e qeverisë, për dëmshpërblimin sipas ligjit të miratuar në Parlament. Biturku  tha se "do të vetëflijohen sipas shortit të vdekjes, por nuk do të dalin nga greva".  “Do hedhim shortin me letër me vrimë, do vetëflijohemi sipas shortit”, tha ish i burgosuri politik Afrim Biturku duke shtuar se do të ndjekin shembullin e Ndrecës dhe Bejkos duke djegur trupin me benzinë. Ai akuzon edhe Avokatin e Popullit, Igli Totozani, si "avokat të politikës dhe jo të popullit".

POLICIA U KOMUNIKON GREVISTEVE VENDIMIN E ZBARDHUR

Ora 15:00
Shefi i komisariatit nr 2 ndodhet në çadër dhe po u komunikon grevistëve vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës. Gazetarja e Tv A1 Report informon se policia ka blinduar zonën.

PATRIOTI: SHUME SHPEJT HAPIM VATREN E RE TE  GREVES
Ora 13: 52
Në një tjetër prononcim për shtyp të orës 13:30 minuta koordinatori i grevës Asllan Patrioti paralajmëroi se shumë shpejt do të ngrihet vatra tjetër e grevës së urisë. “Po jeton në një terror. Nuk ka një ligj për grevat, ata nuk do të dalin me këmbë të veta, nuk do të ketë konfrontime me policinë”-tha koordinatori tjetër, Skënder Tufa duke i bërë thirrje qytetarëve dhe ish të burgosur të tjerë politikë t'i bashkohen protestës që do të zhvillohet nesër paradite para Parlamentit.

GREVISTI LAMAJ PESOI ARITMI 
Ora 13:20 Gjendja shëndetësore e Fatmir Lames është përmirësuar. Mjekët thanë se grevisti Lamaj pësoi aritmi, dhe ndodhet në reanimacion.

ZBARDHET PRETENDIMI I POLICISE NE GJYKATE: GREVA RREZIKON JETE NJEREZISH

Ora 13: 31 Në seancë gjyqësore një përfaqësues juridik i drejtorisë së policisë së Tiranës pretendoi se në grevën e urisë rrezikohet jeta e njerëzve, që është një detyrë ligjore e policisë për ta mbrojtur. Gjithashtu për zhvillimin e grevës nuk janë përmbajtur kushtet ligjore. “Po kërcënohet jeta e nejrëzve, dhe janë bërë thirrje konkrete se do të vetëvritemi. dhe dy persona janë djegur me benzinë. Duke qenë se jeta e nejrëzve është me detyrë dhe ligj për tu ruajtur nga policia, atëherë greva është e paligjshme, duhet të shpërndahet sepse personat që administrojnë grevën po nxisin grevistët të vetëflijohen.”
Gjyqtarja Arjana Caco pranoi kërkesën duke argumentuar se incidentet e fundit me vetëdjegie kanë vërtetuar se mund të vihet në rrezik jeta dhe shëndeti i pjesëmarrësve ne greve, prandaj greva duhet shpërndarë.

ENDE NUK DIHET SE KUR DO BEHET NDERHYRJA E POLICISE
Ora 12:09 Numri i forcave policore është shtuar në numër në krahasim me ditët e mëparshme, por nuk dihet ende se kur do të ndërhyjë policia. Në çadra aktualisht ndodhen 7 grevistë, pas rëndimit të gjendjes shëndetësore të Fatmir Lamajt, i cili u dërgua me urgjencë në spital.

KOORDINATORI I GREVES, ASLLAN PATRIOTI: BERISHA ME KEQ SE ENVERI

Ora 11:26 Koordinatori i grevës Patrioti thotë se grevistëve po i ushtrohet presion. “Na u ndaluan dhe cigaret, dhe takimi me familjen. Ai Enver Hoxha maskara ishte, por familjarët 5 minuta i linte të takojë, ndërkohë që ky nuk i len të takojë. Ky kontrollon çdo gjë. Nëse dua t’i fus benzinë u ia fus kur të dua. Por nuk duam që shokët tanë të digjen. Mos na provoko. Të kemi dhënë votën 22 vjet o zotëri. Nëse të është mërzitur pushteti jep dorëheqjen. Ose ne do të gjejmë një koalicion siç gjete dhe ti me Ilir Metën, që është paterica jote”- tha Patrioti duke iu drejtuar kryeministrit
patriot asllani2
(foto: Sot Asllan Patrioti pranë çadrës së grevistëve)

TUFA BERISHES: HAJDE TE BISEDOJME
Ora 11:14 Skënder Tufa komenton vendimin e gjykatës: “Këto nuk janë zgjidhje. Hajde të diskutojmë si njerëz. Në Shqipëri ekziston një diktaturë që po shkel në mënyrë më flagrante të drejtat e njeriut. Ne do t’i bëjmë thirrje hajde të bisedojmë si qytetarë. Nëse do të veproni me vendimin e gjykatës, nuk do të heqim dorë nga greva, do të kemi kundërveprime."
skender tufa
(foto: Sot Skender Tufa)

PATRIOTI: KTHE VENDIMIN, HAJDE TE BISEDOJME, DO BEHET GJAK 
Ora 11:13 Në një komunikim me mediat, koordinatorët e grevës hodhën akuza të ashpra ndaj kryeministrit Berisha por dhe ndaj institucioneve të tjera si "klloun" që veprojnë nën urdhrin e kryeministrit. Grevistët janë në një gjëndje tepër të rënduar psikologjike dhe shëndetësore.

"Datëlindjen e tij dje e urova ,por do ti them mos e gëzofsh. Nuk janë lopa. Unë kam heshtur se thashë se do binim në negociata por qeveria po na e përmbys gjithçka. Ul tensionin ndryshe do të kesh kufoma. Këto njerëz do të dalin me kufoma.Duam dëmshpërblim, nuk duam mëshirë. Çfarë ju pengon? Nëse do të tentosh t’i nxjerrësh me forcë të siguroj që do të kesh probleme. Kjo grevë do të jetë në një vend tjetër. Vendi do të jetë sekret, dhe do të ketë të tjerë mbështetës. Ktheje vendimin sot. Nëse do të bëhet gjak e mendon të dalin kufoma nga këtu, vazhdo se do të të marrë gazeta e gjithë botës, për të parë se kush je. Të them hajde të bisedojmë. Do bëhet gjak. Nëse ka një të burgosur politik, i bëj thirrje të vijë të marrë borxh e të vijë këtu. Jo si Zenel Dragu që është bashkëpunëtor i Topallit. Të gjithë të burgosurit të vijnë këtu. Nuk është grevë politike, është ekonomike. Nuk kemi punë, shtëpi, bukë. Na keni shkatërruar gjithë jetës" - tha Asllan Patrioti duke mos pranuar të tregojë vendin e grevës. "Vendi i grevës është sekret." - tha Patrioti.

PAS VENDIMIT GREVISTI LAMAJ PESON GODITJE NE ZEMREN
Ora 10:40
Grevisti Fatmir Lamaj shfaq shqetësime kardiake dhe po transportohet menjëherë në spital. Shëndeti i tij u rëndua pak minuta pasi Gjykata e Tiranës mori vendim për ndërprerjen e grevës.
fatmir lamaj
(Foto: Fatmir Lamaj sot ne çadër)

BESIM VALTERI: NUK DALIM NGA GREVA

Ora 10: 40 Pas vendimit të gjykatës grevisti Besim Valteri deklaroi: “Greva vazhdon. Nëse do të na marrim zvarrë, mund të na nxjerrin por ne nuk dalim. Vetëm të vdekur. Thirrje shoqërisë civile, nëse ekziston, të solidarizohen me ne, sepse thjesht po kërkojmë të drejtat tona ekonomike. Policia të mos guxojë të vërë dorë mbi ne. Qytetarë solidarizohuni me ne. Nuk dalim nga greva “

GREVISTI BEQO: JAZEK JU QOFTE

Ora 10:36 Pas vendimit të gjykatës Lavdosh Beqo i burgosuri politik i ardhur nga Franca dhe që i është bashkuar grevës tha: Unë pyes çdo të bëjë me mua. Unë jam nënshtetas francez, dhe kam lajmëruar avokatin e ambasadës. Nuk besoj se ka një polic që vjen e më tërheq zvarrë. Por edhe atë mund ta bëjë. Ata po marrin një vendim të turpshëm. Jazëk u qoftë.”
lavdosh beqo
(Foto: Lavdosh Beqo sot tek çadrat)

GREVISTET: VENDIM I TURPSHEM NE DUAM VETEM DEMSHPERBLIMIN

Ora 10:30 Pas vendimit të gjykatës grevisti Agim Kollçaku deklaroi:“Berisha doli dje dhe tha nuk e prish grevën, por sot gykata mori urdhër. Siç janë duke vdekur shokët tanë në Itali, në Greqi do të vdesim dhe ne. Ne jemi këtu se s’kemi lekë, jemi pa punë, duam dëmshpërblimin tonë. Nëse nuk do të digjemi këtu do të digjemi para Parlamentit, sepse duam të drejtat tonë. Duam vetëm dëmshpërblimin tonë, sepse jemi pa punë. Greva jonë është ekonomike, më mirë vdekur sesa gjallë. Ne do gjejmë mënyrën ku do të vdesim. Ai mund të na fusë nëpër burgje por ne do të mblidhemi dhe do të vdesim o para Parlamentit o këtu “- tha grevisti tepër i indinjuar dhe gati duke qarë.

FATMIR LAMAJ: JEMI KTHYER NE KUFOMA, POR GREVEN S'E NDERPRESIM

Ora 10:28
Grevistët reaguan menjëherë pas vendimit duke e quajtur të turpshëm. “Pas gati një muaj greve urie dhe djegies së dy shokëve tanë u krye ky akt. Por dikush në këtë vend dhe ata që dogjën pushtetin duhen ta kenë të qartë se në flakët e tyre do digjet dhe karriera e tij politike, njëherë e përgjithmonë. Doktori pa zemër nuk ka zemër për të parë në mënyrë njerëzore dhe të dhimbshme. Berisha i ka kthyer në kllounër ata që ka rreth vetes, merreni me mend se në cfarë gjendje mjerane është kthyer administrata dhe institucionet e këtij vendi. S’kemi fuqi të qëndrojmë në këmbë jo më të përleshemi me policinë. Policët, janë mjeranë të robëruar nga një rrogë minimale që marrin. S’kemi ndërmend të bëjmë debatin. Ne jemi kthyer në kufoma tani, por deklarojmë se grevën do ta zhvendosim por do ta vazhdojmë. Historia njerëzore ka ecur përpara nëpërmjet gabimeve të bëra, por nëse gjithçka ka qenë gabim, gjithçka të mos kthehet në faj. Falenderoj mediat për pasqyrimin me transparencë të saj dhe që na keni qëndruar pranë.” - tha grevisti Fatmir Lamaj.

GJYKATA : GREVA TE NDERPRITET
Ora 10:14 Gjyqtarja Arjana Caco e Gjykatës së Shkallës së Parë, urdhëron ndërprerjen e grevës. Sipas saj “është e jashtëligjshme”. Reagon koordinatori i grevës, Skënder Tufa: Vendimi i gjykatës është vendim Berishës. Do të ngremë çadra të reja.

TUFA: NESE GJYKATA URDHERON NDERPRERJEN E GREVES, DO KETE VATRA TE REJA
Ora 09:34 Në një prononcim për tv A1 Report, nga çadra e grevistëve, koordinatori i grevës Skënder Tufa paralajmëron se nëse gjykata do të vendosë për shpërndarjen e grevës, atëherë do të hapen vatra të reja greve diku tjetër. Tufa i bën apel kryeministrit të vijë të takojë grevistët, apo të dërgojë një përfaqësues të qeverisë për të dëgjuar dhe zgjidhur kërkesat e tyre. “Gjykata e cila sot në 9. 30 mund të marrë një vendim kundër kësaj greve duhet ta ketë të qartë se të burgosurit politik nuk mund t’i shuash të drejtën e grevës. Ata do të ngrejnë një cadër tjetër. Shprehim keqardhje dhe duke ndjekur këshillën ambasadorit me qytetari do kërkojmë zgjidhje ligjore. Nuk njohim parti politike, duam zgjidhje ligjore dhe ata njerëz t’i shpëtojmë jetën. Të vijë një zv/ ministër apo drejtor, të bisedojmë nuk është e turpshme. Nuk turpërohesh kryeminstër sepse këta janë qytetarët që të kanë dhënë votën. Hajde të diskutojmë. Vendimet që mund të marrësh me gjykatë për nxjerrjen dhunshëm do të jetë e dëmshme, do kesh vatra të tjera greve. “- tha Tufa për Tv A1 Report.

POLICIA PADIT NE GJYKATE GREVISTET

Ora 09:00 Në Gjykatën e Tiranës do të zhvillohet sot një seancë gjyqësorë ku gjyqtarja Arjana Caco do të shprehet për një padi të policisë së Tiranës e cila kërkon ndërprerjen e grevës. Policia i kërkon gjykatës lëshimin e një urdhri për shpërndarjen e grevës dhe lirimin e ambienteve ku po zhvillohet ajo. Në kërkesën e bërë nga drejtoria e Policisë e Tiranës kërkohet “urdhri e ndërprerjes së grevës që po zhvillohet nga një grup ish të përndjekurish në një ambient të hapur në rrugën “Hiqmet Delvina” Tiranë. Argumentet e policisë në mbështetje të kërkesës ishte fakti që për zhvillimin e saj nuk është marrë leje dhe janë regjistruar vepra penale brenda grevës.

ARVIZU: QEVERIA TE BISEDOJE
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu, duke folur mbrëmë për Tv ABC News mbi çështjen e ish- të përndjekurve dhe grevën e tyre të urisë tha se qeveria duhet të bisedojë me ta.  Duke folur për aktet e vetëdjegies, ai tha se: “duhet të ketë një mënyrë më të mirë për të shprehur ankesat e tua se dhuna ndaj vetes”. I pyetur për çështjen e përdorimit të grevës nga politika, ai tha: “pyetja që dëgjon më shumë këto ditë është se a ka manipulim me këtë grevë. Por kjo nuk është pyetja më aktuale. Për mua kjo është një pyetje e pafrytshme. E them këtë me shumë respekt për ndjenjat e njerëzve”. Arvizu tha se për amerikanët, të përndjekurit "nuk janë statistikë" duke dhënë kështu një përgjigje për qeverinë, që përgjigjet me statistika ndaj një greve urie. Arvizu tha se qeveria mund të kontaktojë me grevistët pa letra e dokumente, por për t’i dëgjuar.

“Mendoj se qeveria mund të bëjë një punë më të mirë për të komunikuar me njerëzit që kanë këto ankesa veçanërisht,” tha ai. I pyetur për rolin e ndërkombëtarëve në ndërmjetësimin e këtyre çështjeve, ai tha: “e di që ndonjëherë ndërkombëtarët mund të luajnë rolin e një ure që të lehtësohet komunikimi. Jo që të shërbejë si ndërmjetës, por që të lehtësojë njëfarë komunikimi”. Dhe nisur nga problemi i komunikimit, Arvizu preku një plagë të këtij tranzicioni. “Nga të gjitha vendet ku kam shërbyer, kam gjetur që zyrtarët e politikanët shqiptarë janë komunikuesit më këqij, të tmerrshëm,” tha ai.

Nga ana e saj Partia Demokratike këmbëngul se është politike dhe i ka bërë thirrje të gjithë familjarëve të grevistëve që të mos përdoren nga Skënder Tufa, koordinator i grevës dhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama. Nëpërmjet zëdhënëses së saj, Silvi Bardhi, PD shprehet për Tufën që është një trafikant i arrestuar në 2004 në akuzën "Shfrytëzim prostitucioni" dhe se është dënuar me dënim të formës së prerë 7 vite burg për veprimtarinë kriminale. "

KRITIKA E AMNISTY INTERNATIONAL

Organizata e njohur e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Amnesty International, i bëri thirrje dje kryeministrit që të takohet me grevistët për të vendour dialogun për adresimin e kërkesave të tyre.   deklaratën për shtyp të shpërndarë për median thuhet se "Amnesty International i bën thirrje zotit Berisha që t’u japë zgjidhje shqetësimeve të tyre dhe të garantojë që kompensimet për ta të paguhen menjëherë." Duke iu referuar shoqatës së të përndjekurve politikë të regjimit komunist janë 6000 të përndjekur politik të regjimit komunist që kanë marrë vetëm 1/8 e kompensimit.

(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Dëshmitë e krimit, Kosova bëhet me muze të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Dëshmitë e krimit, Kosova bëhet me muze të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës