Forcimi i bashkëpunimit dhe shmangia e përplasjeve në vendimmarrje ishte në fokus të takimit të përbashkët mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë zhvilluar këtë të mërkurë.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, theksoi se bashkëpunimi mes dy niveleve më të larta të drejtësisë është thelbësor për garantimin e sigurisë juridike dhe për ndërtimin e një praktike më të qëndrueshme gjyqësore.
Sipas saj, shkëmbimi i praktikave ndihmon edhe gjykatat më të ulëta, duke qartësuar standardet dhe duke rritur parashikueshmërinë në trajtimin e të drejtave themelore.
Nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u ndal te rëndësia e respektimit të roleve kushtetuese të secilës gjykatë, duke theksuar se balanca institucionale ruhet përmes ushtrimit korrekt të kompetencave.
Gjatë takimit, gjyqtarja Marjana Semini dhe gjyqtari Asim Vokshi folën edhe mbi standardin kushtetues të arsyetimit të vendimeve gjyqësore dhe parimin e sigurisë juridike.
Diskutimet mes gjyqtarëve u fokusuan në shkëmbimin e përvojave dhe sfidave të praktikës së përditshme në sistemin e drejtësisë.
Takimi u zhvillua me mbështetjen e Këshilli i Evropës, me synim rritjen e cilësisë së drejtësisë dhe forcimin e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor.
Komente











