Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar kërkesën e tij për dënimin me 1 vit burg. Ish-deputeti shprehet se arsyetimi është absurd pasi pranon cenimin e një të drejte dhe e justifikon me proporcionalitetin e dënimit.

Siç ishte shprehur edhe më parë, ai njofton se të drejtën do ta kërkojë në Gjykatën e Strasburgut, edhe pse asgjë nuk kthehet pas. Salianji është i vendosur që të kthehet në një zë për këdo që duhet të guxojë dhe të luftojë për interesin publik, pa u ndëshkuar.

Reagimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese për 2 vjet me radhë e vonoi çështjen time. E paralajmërova se kjo do të ndodhte sepse duan të më mbajnë larg zgjedhjeve lokale dhe zvarritja e deritanishme po pengonte ndjekjen e rrugës ligjore deri në Gjykatën e Strasburgut. Sot, më në fund, dhanë vendimin, edhe pse me arsyetimin absurd se “liria e shprehjes është cenuar, por masa është proporcionale”.

Një logjikë që pranon cenimin e një të drejte, por përpiqet ta justifikojë atë me proporcionalitetin e ndëshkimit!

E kam thënë që në fillim: drejtësia nuk mund të jetë e pavarur vetëm në letër. Kur gjyqtarët u nënshtrohen presioneve, shantazheve apo ndikimeve të paligjshme, humb qytetari dhe fiton pushteti. Kështu ndodh kur gjyqtarët emerohen me cene, dikush spiun, dikush me video perverse e dikush tjetër me lidhje me grupet kriminale.

Sot nuk mbyllet beteja ime. Sot ajo merr një drejtim tjetër: Gjykatën e Strasburgut.

Askush nuk m’i kthen ditët e burgut. Askush nuk m’i kthen mandatet e humbura padrejtësisht. Por unë nuk do të heq dorë nga e drejta për të kërkuar drejtësi dhe barazi para ligjit.

Sepse çështja ime nuk është vetëm personale. Është një betejë për këdo që guxon të flasë, të denoncojë dhe të luftojë për interesin publik, pa u kërcënuar nga pushteti dhe pa u ndëshkuar për fjalën e tij. Nuk kërkoj privilegje por drejtësi.

Dhe këtë betejë nuk e bëj për veten time, por për parimin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të ndëshkohet pse lufton për të vërtetën.


Lajmi kryesor:

Ankimoi dënimin me 1 vit burg, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Ervin Salianjit: Sot beteja merr drejtim për në Gjykatën e Strasburgut