Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka rrëzuar dekretin e Presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Parlamentit.
Në akt-gjykimin e publikuar, Gjykata Kushtetuese ka pretenduar se dekreti i Presidentes Osmani ‘nuk prodhon asnjë efekt juridik’.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka deklaruar gjithashtu se deputetët kanë edhe 34 ditë afat për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit.
Sipas vendimit, pas shpërndarjes së Parlamentit, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Ky vendim vjen pasi në fillim të këtij muaji Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e Presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.
Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë.
Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Parlamentit në Kosovë erdhi pasi forcat politike nuk arritën dot që të zgjidhnin Presidentin e ri të Kosovës, për të cilin duhen 2/3 e votave të deputetëve.

Presidentja Vjosa Osmani, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën e Qeverisë dhe GP të LVV-së për vlerësim të dekretit të saj për shpërndarjen e Kuvendit.
Në reagimin e Presidencës thuhet se ky vendim konfirmon se Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.
Reagimi i plotë:
Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.
Në përputhje me komentet e dërguara nga Presidenca, edhe vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon në paragrafët 153, 155 dhe 190 se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet.
Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve.
Presidenca ka shprehur të njëjtin qëndrim në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke potencuar se dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe se nuk është dekreti, por është vetë dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje.
Rrjedhimisht, duke qenë se rrethana e moskonstituimit të Kuvendit me kohë nuk ka qenë e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese që vlen për këtë rast specifik, duke sqaruar se “në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.” (paragrafi 191 i Aktgjykimit)
Presidentja e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bën atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues.
Dhënia e këtij afati shtesë nga ana e gjykatës kushtetuese asesi nuk ka qenë në kompetencën e Presidentes së Republikës. Por është pikërisht dekreti i Presidentes që e ka hapur rrugën për këtë sqarim të rëndësishëm nga ana e gjykatës si autoritet i vetëm dhe përfundimtar për të interpretuar Kushtetutën.
Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit.
Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri.
Komente










