Presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Tomoko Akane, dënoi ashpër Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë për ndërhyrjet e tyre në hetimet e gjykatës, duke i cilësuar sulmet ndaj saj si “të tmerrshme.”
“Gjykata po përballet me kërcënime për sanksione të ashpra ekonomike nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, sikur të ishte një organizatë terroriste,” deklaroi Akane në hapjen e takimit vjetor të GJNP-së.
Ajo iu referua senatorit amerikan Lindsey Graham, i cili e quajti gjykatën “një shaka të rrezikshme” dhe bëri thirrje për sanksione ndaj prokurorit të saj. Graham paralajmëroi se SHBA do të vendosë sanksione ndaj çdo aleati që mbështet GJNP-në, përfshirë Kanada-n, Britaninë, Gjermaninë dhe Francën.
Graham reagoi ndaj vendimit të gjykatës për të lëshuar urdhër-arreste ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrit të tij të mbrojtjes dhe kreut ushtarak të Hamasit, për krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Gaza.
Ky është rasti i parë kur gjykata ngre akuza kundër një lideri në detyrë të një aleati kryesor perëndimor.
GJNP përballet me sfida në zbatimin e urdhër-arresteve
Kërcënimet e Graham nuk janë të pabaza. Gjatë administratës së tij, Donald Trump sanksionoi ish-prokuroren e GJNP-së, Fatou Bensouda, duke i ndaluar udhëtimin dhe ngrirë pasuritë për hetimet që lidhnin SHBA-në me krimet në Afganistan.
Akane gjithashtu kritikoi Rusinë për lëshimin e urdhër-arresteve ndaj zyrtarëve të GJNP-së, si përgjigje ndaj hetimit për Presidentin Vladimir Putin.
Asambleja e Shteteve Palë, që përfaqëson 124 vendet anëtare të GJNP-së, po zhvillon konferencën e saj për të zgjedhur anëtarë të rinj dhe për të miratuar buxhetin vjetor. GJNP u krijua në vitin 2002 për të ndjekur penalisht individët përgjegjës për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, kur shtetet e tyre nuk janë në gjendje ose nuk duan të veprojnë.
Gjykata nuk ka forcë policore dhe mbështetet tek shtetet anëtare për zbatimin e urdhër-arresteve.
Vendimi për lëshimin e urdhër-arresteve për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit Yoav Gallant është kritikuar nga shumë, ndërsa mbështetësit e gjykatës kanë qenë të rezervuar. Kjo bie në kontrast me mbështetjen për urdhër-arrestin e Putinit për krimet e luftës në Ukrainë.
Presidenti amerikan Joe Biden e dënoi vendimin për Netanyahun, duke e quajtur atë “të papranueshëm” dhe premtoi mbështetje për Izraelin. Në të kundërt, ai e kishte quajtur urdhër-arrestin për Putinin “të justifikuar” një vit më parë. SHBA-ja nuk është anëtare e GJNP-së./ AP