Dritan Goxhaj, shoqërues i trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999, është arrestuar këtë të hënë, 31 korrik 2023, në Tiranë për llogari të autoriteteve kosovare.

Ndaj Dritan Goxhajt, Gjykata Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër-arrest, pasi akuzohet se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Përmes një letër porosie, autoritetet kosovare informuan palën shqiptare se ndaj tij ka nisur një procedim penal, për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale" dhe "Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare", parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.

Arrestimi

Arrestimi i Dritan Goxhajt u bë me qëllim ekstradimin dhe transferimin i tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Uleta ('shteti prites') Hagë. 

Arrestimi i Dritan Goxhajt u bë me vendim të Gjykatës së Tiranës e cila më 20 korrik 2023 kishte caktuar masën e ”sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimin drejt Hagës.

Këto veprime procedurale janë kryer në përmbushje të dhënies së ndihmës juridike, për shkak se Gjykatësi i Vetëm kishte lëshuar fletëarrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Uleta ('shteti prites'" thuhet në njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Tiranës.

Gjithasht ndaj 45 vjeçarit, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, ka pasur dhe autorizim për kontrollin e banesës si dhe sekuestrimin e materiale të vlefshme për hetimin.

Ekstradimi
Dritan Goxhaj pritet të ekstradohet në javët në vijim për në Republikën e Kosovës.

"Në lidhje me arrestimin, Gjykatësi i Vetëm ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se Dritan Goxhaj mban përgjegjësi për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës" vijon njoftimi i prokurorisë. 

Kush është Dritan Goxhaj
Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e Forcave Amerikane në Shqipëri.

Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.

Dhoma speciale
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara po gjykohen ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:59
Arrestimi i Dritan Goxhajt, Prokuroria e Tiranës: Ekzekutuam letërporosinë e Kosovës, ja për çfarë akuzohet

1690815663_tirfoto6860.jpg

Prokuroria e Tiranës ka dhënë një prononcim për mediat lidhur me arrestimin e Dritan Goxhajt.

Njoftimi i plotë:

Sot më datë 31.07.2023, në kuadër të “Kërkesës se Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, u realizua ekzekutimi i letërporosisë për dhënien e ndihmës juridike Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, për llogari  të procedimit penal në ngarkim të shtetasit D.G., për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale" dhe "Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare", parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.

Është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëgues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj shtetasit D. G., me qëllim ekstradimin, si dhe është ushtruar kontroll në vendin e banimit të tij.

Këto veprime procedurale janë kryer në përmbushje të dhënies së ndihmës juridike, për shkak se Gjykatësi i Vetëm kishte lëshuar fletëarrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Uleta ('shteti prites'). Gjithashtu, Gjykatesi i Vetem autorizoi kontrollimin e z. D.G., të vendit të arrestimit dhe të vendit të banimit te tij, si edhe sekuestrimin  e materialeve gjate kontrollimit të tyre ('Urdhri për Autorizimin e Kontrollimit dhe Sekuestrimit').

Gjykatesi i Vetem ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se shtetasi D.G., mban përgjëgjesi penale për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, konkretisht për frikësim gjate procedurës penale dhe pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht në bazë të nenit 387 dhe nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 (Ligji nr. 06/L-074), sikurse përcaktohet në nenin 15(2) te Ligjit.

Në vijim do të realizohet procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi për në Republikën e Kosovës.

Ora 16:20
U arrestua me urdhër të Gjykatës Speciale, Gjykata vendos kontrollin e banesës së Dritan Goxhajt

1690807626_dritangoxhaj.png

Dritan Goxhaj është vënë në pranga nga policia e Tiranës për t’u ekstraduar në Hagë. Gjykata Speciale e Hagës dërgoi një urdhërarrest për ish anëtarin e UÇK-së, ndërsa vendos kontroll në banesën e tij.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjec, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.