Nga sonte (nata evropiane) e në vazhdim, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të vendosë mbi ligjshmërinë e një pjese të madhe të taksave doganore të vendosura muajt e fundit nga Donald Trump. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka përcaktuar shumë nga tarifat e reja doganore, përfshirë ato prej 15% mbi një pjesë të madhe të importeve nga Bashkimi Evropian, duke u bazuar në një ligj shumë pak të përdorur që daton që nga viti 1977: Akti Ndërkombëtar i Fuqive Ekonomike të Emergjencës (IEEPA), i cili i jep vetë presidentit fuqinë për të vendosur taksa apo masa të tjera për mbrojtjen e ekonomisë, duke anashkaluar Kongresin.

Bilanci tregtar

Trump ka argumentuar se deficiti i bilancit tregtar amerikan përbën në vetvete një emergjencë të tillë që justifikon vendosjen e taksave doganore me dekret presidencial. Por deficiti tregtar i Shteteve të Bashkuara për mallra dhe shërbime vazhdon pa ndërprerje prej 49 vitesh dhe – me 3,1% të produktit të brendshëm bruto në vitin 2024 – është pothuajse përgjysmuar në krahasim me nivelet maksimale të vitit 2006. Prandaj mund të jetë e vështirë për avokatët e Shtëpisë së Bardhë të argumentojnë para Gjykatës së Lartë se ekziston vërtet një emergjencë dhe për rrjedhojë që tarifat doganore të vendosura duke i hequr kompetencat Kongresit janë të ligjshme. Megjithatë, shumica e gjyqtarëve janë emëruar nga vetë Trump ose nga presidentë të tjerë republikanë dhe janë politikisht të afërt me Shtëpinë e Bardhë.

Vendimi

Vendimi është, pra, i vështirë për t’u parashikuar, edhe pse në Wall Street disa tashmë po përpiqen ta bëjnë këtë. Disa fonde spekulative po marrin ndihmën e bankave të investimeve – ndër to sigurisht Jefferies dhe Oppenheimer – për të ofruar një lloj të ri opsionesh për kompanitë që tashmë janë detyruar të paguajnë taksa doganore shtesë bazuar në IEEPA. Oferta e fondeve për importuesin është që të paguajë menjëherë midis 20% dhe 40% të shumës shtesë të taksave doganore tashmë të paguara në doganat amerikane, në këmbim të të drejtës për të marrë rimbursimin e plotë (100%) nëse Gjykata e Lartë do të vendoste sot kundër Shtëpisë së Bardhë.

Ligjshmëria ose jo

Nëse gjyqtarët do të konfirmojnë ligjshmërinë e taksave, importuesi do të ketë përfituar të paktën një pjesë të shumës shtesë që është dashur të paguajë për të sjellë një produkt të caktuar në Shtetet e Bashkuara. Nëse, përkundrazi, do t’i anulojnë taksat e bazuara në IEEPA dhe do të detyrojnë administratën të rimbursojë kompanitë, atëherë hedge fund-i që ka blerë të drejtat e rimbursimit do të mund t’i kërkojë këto dhe të përfitojë kështu një fitim prej 200% ose më shumë nga investimi i tij (për shembull, ka paguar 30 dollarë një kompanie për të drejtën për të arkëtuar 100 dollarë taksa të paguara padrejtësisht në doganat amerikane).

Rimbursimet

Tregu i rimbursimeve doganore nuk zhvillohet në tregje të hapura; prandaj është e vështirë të vlerësohet saktë vlera e tij. Megjithatë, ai tashmë është mjaft i pranishëm saqë studioja e madhe ligjore Orrick, nga zyra e saj në Nju Jork, ka publikuar disa udhëzime për klientët e vet: ajo vlerëson se sot rimbursimet tregtohen midis 20% dhe 40% të vlerës së tarifës shtesë fillimisht të paguar.

Bastet

Në tregjet e basteve si Polymarket, probabiliteti që Gjykata e Lartë të japë një vendim kundër Trump-it vlerësohet në 60%. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo do të konfirmohet. Dhe nëse, në atë rast, gjyqtarët federalë do të detyrojnë vërtet administratën të rimbursojë kompanitë me më shumë se 50 miliardë dollarë taksa të paguara në mënyrë të padrejtë: për buxhetin federal, pikërisht tani që është bllokuar nga shutdown-i për shkak të ngërçit në Kongres mbi kufijtë e borxhit, kjo do të ishte një tjetër goditje shumë e rëndë./Corriere della sera