Ish-gjyqtarja Joana Qeleshi, teksa u diskutua për numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri, është shprehur se ligjvënësit (deputetët) duhet të ndërhyjnë në kodin penal, për ndryshimin e situatës.

Komentet Qeleshi i bëri në emisionin ‘RePolitix’ në Report TV, ku tha se pas disa raporteve për numrin e lartë të të paraburgosurve, sistemi gjyqësor jo vetëm që nuk po reflekton, por sipas saj po bën të kundërtën.

“Ligjvënësi kur ka një situatë problematike, nuk shkon dhe bën një kod represiv dhe politikë penale më keq sesa është. Sepse zgjidhja ndaj kriminalitetit nuk është që ti të ashpërsosh dënimet, sepse kjo është një nga masat. Por masat e tjera ti i ke, duhet të kesh një qasje gjithëpërfshirëse që te edukimi, masat edukuese, etj. Atëherë çfarë bën ligjvënëse kur ka një situatë që duhet t’i gjejë zgjidhje? Që të jetë në përputhje me Strasburgun, me atë çfarë thotë ligji jonë, me standardet që të shmangim rastet e dënimeve të Shqipërisë, të plotësojmë kriteret dhe opinionet që kemi qoftë për burgjet, etj, atëherë ligjvënësi duhet të ndërhyjë. Nëse sistemi gjyqësor nuk reflekton vetë, që s’ka reflektuar, pra është në të kundërt me çfarë thotë ligji, në këndvështrimin tim e vetmja zgjidhje aktuale është ndërhyrja në ligj”, tha mes të tjerash ish-gjyqtarja Qeleshi.

Po ashtu Qeleshi tregoi edhe një skemë sesi ligjvënësit mund të ndërhynin në kodin penal për të bërë të mundur uljen e numrit të të paraburgosurve. Ajo tha se me ndryshimet në ligj mund të vendoset që për një kategori të caktuar personash (si përshembull ata që nuk kanë qenë të dënuar më parë, ose ata që nuk paraqesin rrezik) gjykatësit nuk mund të caktojnë masën ‘arrest me burg’.

“Që do të thotë në kodin e procedurës penale i duhet thënë gjyqtarit që ti masë sigurie ‘arrest me burg’ për këtë kategori veprash, për persona të pa-dënuar më parë dhe kritere të tjera që mund të caktohen, nuk cakton dot. Dhe në këtë rast ti zgjidh edhe situatën që gjyqtari është i qetë sepse e ka në ligj dhe nuk i thotë njeri pse e nxorre apo pse nuk e nxorre”, vijoi më tej Qeleshi.


Lajmi kryesor:

KiE ngriti ‘alarmin’ për numrin e lartë të të paraburgosurve, Ndreca: Rasti i Veliajt më skandalozi, mbahet në burg pa prova! Karanxha: Shqiptarët po kalben në qeli