Gjykatësi pranon: Bolino s’ka
faj, por i vë gjobë 75.000 euro

Gjykatësi pranon: Bolino s’ka<br />faj, por i vë gjobë 75.000 euro
TIRANE - Karlo Bolino nuk ka asnjë përgjegjësi në historinë e shkrimit të botuar nga “Gazeta Shqiptare” në mars të vitit 2011 për ministrin Sokol Olldashi, sepse “përgjegjësinë, sipas Kodit Civil shqiptar, e ka vetëm autori i shkrimit, bashkë me kompaninë që e ka punësuar”. Por, edhe pse pranon këto parime ligjore, gjykatësi Abdullai e ka dënuar Karlo Bolinon me një gjobë 75.000 euro.

Paradoksi i një dënimi politik del me qartësi nga motivet e dënimit të dhënë me 23 maj dhe që gjykata civile e ka publikuar në faqen e saj në internet. Gjykatësi Abdullai (i njohur dhe për vendime të tjera politike dhe i konsideruar si i afërt me pushtetin) pranon, në vendimin e tij, të njëjtat principe të njohura nga të gjithë juristët shqiptarë dhe që do të duhet të çonin si logjikë deklarimin të pafajshëm të Karlo Bolinos dhe në rrëzimin e padisë së bërë nga Sokol Olldashi. E, megjithatë, duke kundërshtuar veten - dhe në mënyrë të hapur jologjike - Abdullai vendos ta dënojë gjithësesi Karlo Bolinon.

Pikërisht, gjykatësi tregon 3 nenet e Kodit Civil që tregojnë pafajësinë e Karlo Bolinos: “Gjykata vëren se në nenin 608 të Kodit Civil është sanksionuar shprehimisht se “Personi, që në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin e tij.....detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj”.

Ndërsa, në nenin 609/1 të Kodit Civil është përcaktuar se “Dëmi duhet të jetë rrjedhim i drejtëpërdrejtë dhe i menjëhershëm i veprimit ose mosveprimit të personit”. Në nenin 618 të Kodit Civil përcaktohet se “Punëdhënësi është përgjegjës për dëmet e shkaktuara të tretëve për fajin e punonjësve që janë në shërbim të tij, gjatë ushtrimit të detyrave që u janë besuar prej tij. Personi juridik është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga organet e tij në kryerjen e detyrave të tyre”.

Ripërmbledhim: Për t’u dënuar qw të dëmshpërblesh një dëm, duhet të jesh ai që personalisht ka fajin e shkaktimit tw dëmit (neni 608); dëmi për t’u dëmshpërblyer duhet të shkaktohet direkt nga sjellja e një personi (neni 609/1); punëdhënësi ose personi juridik janë përgjegjës të dëmeve të shkaktuara të tretëve nga vartësit e tyre (neni 618). Ligji e thotë këtë dhe pikërisht sipas këtyre neneve Karlo Bolino nuk mund të dënohej.

Kjo, sepse nuk ishte autori i shkrimit, sepse asnjë veprim i tij nuk i ka shkaktuar dëm direkt Sokol Olldashit dhe sepse ai nuk ka qenë asnjëherë punëdhënësi i gazetarit që ka shkruar shkrimin. Ai, në funksionin e përfaqësuesit ligjor të botuesit, ishte vetw një punëmarrës, pra pa asnjë përgjegjësi. Kwshtu qw dëmet, nëse dëme ka pasur, duhet të paguhen nga shoqëria pronare e “Gazeta Shqiptare”, ose nga kush ka detyrimet.

Vendimi i gjykatësit Abdullai ka shkaktuar skandal jo vetëm në opinionin publik, mes përfaqësuesve të botës së informacionit shqiptar dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, por edhe tek shumë ambasada perëndimore, të cilat janë interesuar për këtë çështje.

Dënimi i Karlo Bolinos, prej 2008 drejtor i “La Gazzetta del Mezzogiorno” në Bari (një nga mediat italiane më prestigjoze) konsiderohet nga të gjithë si një sulm i hapur politik kundër një shembulli të shtypit të lirë dhe profesional, që në Shqipëri ka sjellë prej vitesh modelin e gazetarisë europiane.

Dënimi plotësisht i pabazuar, i dhënë fiks një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit nga ana e një gjykatësi të politizuar, në bazë të një padije të paraqitur nga një ministër i qeverisë, që kishte zgjedhur për avokate, avokaten e Sali Berishës (Erinda Ballancën), shërben si një mesazh kërcënues për të gjithë shtypin e lirë në Shqipëri.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore