Gjykatësi rrëzon padinë e ish-Presidentit Trump ndaj Hillary Clinton dhe FBI-së

Gjykatësi rrëzon padinë e ish-Presidentit Trump ndaj Hillary Clinton dhe FBI-së

Donald Trump

Një gjykatës federal në Florida refuzoi padinë gjyqësore të ish-Presidentit Donald Trump kundër rivales demokrate në vitin 2016, Hillary Clinton dhe zyrtarëve të lartë të FBI-së, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e ish-presidentit se ata kishin vepruan në koordinim, së bashku me persona të tjerë, për të nisur hetimin mbi lidhjet e zyrtarëve të fushatës së tij me Rusinë, hetime që e shoqëruan atë pothuajse gjatë gjithë mandatit të tij.

Gjykatësi Donald Middlebrooks u shpreh në një vendim të enjten se padia e ish-Presidentit Trump, e paraqitur në muajin mars, përmbante “mangësi shumë të mëdha strukturore” dhe se shumë nga “përshkrimet e ngjarjeve ishin të paarsyeshme”.

Gjykatësi tha se me padinë e tij ish-Presidenti Trump nuk po kërkonte të ndreqte një dëm ligjor, por “në vërtetë ai shpalosi një manifest politik prej 200 faqesh, ku paraqiten ankesat e tij ndaj atyre që e kundërshtonin, dhe kjo gjykatë nuk është forumi i duhur” për këtë gjë.

Padia drejtohej ndaj zonjës Clinton dhe disa prej këshilltarëve të saj kryesorë, si dhe ndaj ish-Drejtorit të FBI-së James Comey dhe zyrtarëve të tjerë të FBI-së, që u përfshinë në hetimin nëse zyrtarë të fushatës elektorale të zotit Trump në vitin 2016 ishin koordinuar me Rusinë për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve.

Të tjerë të paditur janë themeluesit e një firme studimore politike që punësoi një ish-agjent britanik për të hetuar lidhjet e ish-Presidentit Trump me Rusinë, si dhe një jurist demokrat me lidhje të forta, i cili u shpall i pafajshëm rishtazi për akuzën se kishte gënjyer FBI-në gjatë një takimi në vitin 2016, gjatë të cilit i paraqiti FBI-së informacionin për të cilin dëshironte të bëheshin hetime.

Por asnjë nga argumentat, shkruan gjykatësi, nuk mbështeste pretendimet e ish-Presidentit Trump për një konspiracion të ngritur kundër tij.

Ato që padisë “i mungojnë në substancë dhe mbështetje ligjore, përpiqet që t’i zëvendësojë me gjatësinë, hiperbolizmin, dhe hakmarrjen dhe ankesat”, shkruan Gjykatësi Middlebrooks.

Një raport i vitit 2019 i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë konstatoi disa mangësi të FBI-së gjatë hetimit për Rusinë, por nuk gjeti evidencë që drejtuesit e FBI-së të kishin qenë të motivuar politikisht për hapjen e hetimeve dhe u shpreh se procesi hetimor u fillua për një qëllim legjitim.

Një hetim i veçantë i prokurorit të posaçëm Robert Mueller ngriti akuza penale ndaj të paktën dymbëdhjetë personave dhe entiteteve, si dhe konstatoi ndërhyrje të vazhdueshme të Rusisë në zgjedhje, por nuk doli në përfundimin se kishte patur një konspiracion të ndëshkueshëm penalisht nga ana e zyrtarëve të fushatës së zotit Trump.

Alina Habba, një avokate e ish-Presidentit Trump, tha të premten se ish-presidenti do ta apelojë vendimin e gjykatësit./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja