Gjyqi i Ndrea Prendit, Sollaku:
Pse e larguan Zegjinenë

Gjyqi i Ndrea Prendit, Sollaku:<br />Pse e larguan Zegjinenë
TIRANE-Ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi, vashdon të fitojë njëra pas tjetrës betejat me prokurorinë e Tiranës, e cila nuk heq dorë nga kërkesat e saj drejtuar gjykatës për futjen në burg të Prendit. Për herë të katër gjenerali që mbrohet nga avokati Genc Gjokutaj, ka dalë fitues në përballjen me provat e prokurorisë, pasi gjykata e Apelit dhe dje i ka dhënë të drejtë argumentave të palës mbrojtëse. Seanca gjyqësore për rivlerësimin e masës së Ndrea Prendit që akuzohet se ka vrarë shtetasin Faik Myrtaj është zhvilluar për rreth 5 orë me radhë pa praninë e gazetarëve, ku të pranishëm në sallë kanë qënë vetëm prokurori i Apelit Altin Dumani dhe avokati mbrojtës Genci Gjokutaj. Vendimi për caktimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për Prendin është marë pas dy largimit të dy gjyqtarëve që përbënin treshen e trupit gjykues. I pari që ka paraqitur dorëheqjen nga gjykimi për arsye personale, ishte gjyqtari Dalip Bushi, i cili u zëvendësua nga Shkëlqim Miri. Sipas Bushit, dorëheqja e tij ka si motivacion disa anëtarë të familjes që punojnë në prokurori.
LARGIMI I SOLLAKUT
Pas zëvendësimit të Bushit, që në fillim të çeljes së seancës gjyqësore avokati Genci Gjokutaj ka kërkuar përjashtimin e anëtares së trupit gjykues Zegjine Sollaku, pasi sipas tij në periudhën kur bashkëshorti i gjyqtares, Theodhori Sollaku drejtonte Prokurorinë e Përgjithshme, komandanti i gardës Ndrea Prendi ka vendosur në 2006 ndryshimin eskortën, duke u bërë shkak për mosmarrëveshje mes atyre të dyve. Megjithatë, gjyqtarja nuk ka pranuar të dorëhiqet. Kërkesa e avokatit mbrojtës është shqyrtuar nga Artur Kalaja i cili vendosi të pranojë atë, duke urdhëruar përjashtimin nga trupi gjykues i Zegjine Sollakut. Sollaku u zëvendësua nga gjyqtari tjetër, Agron Papajani. Lidhur me kërkesën e avokatit Gjukutaj gazeta "Shqiptarja.com" ka pyetur ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku i cili është shprehur se: "Mendoj se ka pasur vetëm një sebep për përjashtimin e Zegjinesë. Di që ka ndodhur se kur u ndërruan shoqëruesit e gardës, unë i kërkova një argument, se përse kishte ndodhur ky ndryshim. Më tha se është si rregull që duhet ndëruar një herë në 2 deri në 3 vjet. As të parët dhe as të dytët nuk i kam zgjedhur unë por i ka emëruar garda".
ARGUMENTAT E AKUZES
Përfaqësuesi i prokurorisë së Apelit Altin Dumani ka këmbëngulur gjatë seancës gjyqësore, se trupi gjykues duhet të pranojë kërkesën e akuzës për caktimin e masës së sigurisë "Arret me burg" ndaj të arrestuarit Ndrea Prendi. Sipas prokurorit, ish-kreu i Gardës së Republikës është autor i vrasjes së shtetasit Faik Myrtaj, pasi arma e tij tip "Bereta" ka dalë si arma që ka qëlluar 11 herë, prej dhe nga ka vrarë me një plumb demostruesin Myrtaj. Gjithashtu prokurori Dumani mësohet se i ka vënë në dispozicion trupit gjykues edhe mandatin e hyrjes dhe daljes së pistoletës nga depoja e armatimit të Gardës së Republikës. Ky mandant është firmosur nga Ndrea Prendi dhe se nisur nga kjo provë, sipas prokurorit Dumani i akuzuari për vrasje duhet të qëndrojë në burg dhe jo në arrest shtëpie, siç kanë vendosur gjykatat e tjera. Mirëpo pavarësisht kësaj, gjykata nga ana e saj është shprehur se s'mund të shqyrtojë prova në themel, pasi nuk është kopetenca e saj dhe për pasojë ka vendosur rëzimin e kërkesës së prokurorisë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane