Gjyqi i Vangjush Dakos, GJKKO rikthen çështjen për hetim, i kërkon SPAK akt ekspertimi për shëtitoren buzë detit

Tirane- Gjykata e Posaçme urdhëroi sot (2 shkurt 2024) Prokurorinë e Posaçme, SPAK,  të plotësojë hetimet lidhur me dosjen për të cilën janë të pandehur ish kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe 10 të tjerë, përpara se të vendosë nëse do kalojë për gjykim apo jo.

Gjyqtarja e Gjykatë e Posaçme, Flojera Davidhi i kërkoi SPAK të realizojë akt ekspertimi për procedurën e prokurimit të shërbimit konsulence për projektin e Promenadës Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila, për të cilën pretendon se iu rrit vlera me dhjetëfish duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh. 

SPAK ka 25 ditë kohë realizojë akt ekspertimin. Ndërkohë Dako dhe të pandehurit e tjerë pretendojnë të kundërtën. Me vendimin e sotëm GjKKO urdhëroi ngritjen e një grupi ekspertësh të cilët që do të përpilojnë dhe akt ekspertizën e kërkuar dhe do e paraqesë në seancën e 27 shkurtit 2024.

"Gjyqtarja e Gjykatë e Posaçme, Flojera Davidhi, mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme sot në seance paraprake, vendosi plotësimin e hetimeve në çështjen objekt gjykimi.  Veprimet hetimore do te kryhen deri ne seancen e rradhes, që do të zhvillohet në datën 27 shkurt 2024, ora 12:00" informoi GJKKO.

Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi të bërë në vitin 2014 nga Bashkia Durrës për shërbim konsulence për projektin e Promenadës Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila. Më herët në shtator të 2013 është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike, me detyrë projektimin, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi. SPAK thotë se nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës atëherë Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të legjislacionit në fuqi.

Për të arritur në këtë përfundim, SPAK ka marrë analizën e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por sipas Gjykatës organi i akuzës do të duhet ta verifikonte vetë një konkluzion të tillë. Për këtë arsye GJKKO kërkon që SPAK të verifikojë faktet për vlerën reale të investimit dhe ato faktike.

.Dako akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste, njëra ka të bëjë me shëtitoren e tjetra me dhënien e lejes së një pallatit 7 katësh por që u ndërtua 11 kate dhe u dëmtua nga tërmeti. Nën akuzë janë edhe 10 ish bashkëpunëtorë të tij. Avokatët e Dakos kanë kërkuar pushimin e çështjes pasi sipas tyre nuk ka vepër penale, ndërsa nëse kjo kërkesë nuk pranohet kërkojnë gjykim të shkurtuar.

Vangjush Dako ndodhet në paraburgim prej 6 qershorit 2023 kur dhe u arrestua. 

Akuza e SPAK për shëtiroren 

Ka rezultuar se në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.

Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 Shtator 2013 protokolluar me Nr. 4151 Prot., në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike. Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi.

Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”.

Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale.

Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë,  Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin Dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej  18.318.400,2  lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.

Në gjykatë
Vangjush Dako - ish kryetari i bashkisë së Durrësit – shpërdorim detyre 2 herë
Adhurim Qehajaj,- ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, akuzohet për “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, “Shpërdorim detyre”
Fiqiri Farruku, administrator i subjektit “Fakle” sh.p.k, akuzohet për “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”
 Ermal Lama, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për ‘Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”
Fatmir Ejupi, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”
Adrian Bulku, me detyrë Inxhinier topograf i licencuar, i kontraktuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k, i akuzuar për “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”
Ferzilet Hajdëri, me detyrë Ing. Ndërtimi e Licencuar, në rolin e kolaudatorës së objektit të ndërtuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k, e akuzuar për “Shpërdorim detyre’
Adnand Toçila, me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”
Diana Dedja, me detyrë specialiste në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, e akuzuar për “Shpërdorim detyre”
Bashkim Salillari, me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, e akuzuar për “Shpërdorim detyre”
 Hanza Reka, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Financës në Bashkinë Durrës, e akuzuar për “Shpërdorim detyre”

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ndergjegja: 02/02/2024 13:47

    Populli shqiptar pret te shohe edvinOlsin si dakun e durrsit...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë