Teksa e quajti drejtësinë “të anshme” dhe “jo profesionale”, kryeministri Rama tha se rasti ‘Balluku’ s’është i pari, por as më i vështiri. Këtu solli në vëmendje dosjen e Erion Veliajt duke thënë se për të nuk ekzistoi parimi i prezumimit të pafajësisë dhe gjyqi mediatik ishte “masakër gurësh e pështymash”.

“Fatkeqësisht nuk është i pari, por fatmirësisht nuk është as më i vështiri. Ndryshe nga sa ka ndodhur me kryetarin e bashkisë së Tiranës pezumimi i pafajësisë të së cilit nuk ka ekzistuar as përpara se ai të merrej për herë të parë në pyetje dhe gjyqi mediatik ndaj të cilit ishte një tjetër masakër gurësh dhe pështymash, me libër shpie, e denjë për mesjetën dhe jo për një shoqëri europiane. Thashë fatmirësisht se na e jep ne Kushtetuta të drejtën për të gjykuar mbi dëshirën, nevojën dhe argumentet e prokurorit për të kërkuar një arrest pa gjyq se kjo është ajo që duhet ta kuptojnë të gjithë shqiptarët për pozicionin tonë, timin, arrest pa gjyq. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Kështu na e jep Kushtetuta mundësinë që as të mos e humbim nga sytë, as të mos kemi fuqi ta ndihmojmë viktimën më të madhe gjer më sot të reformës në drejtësi. E dini kush është viktima më e madhe e reformës në drejtësi? Prezumimi i pafajësisë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

PS nuk jep aprovim për arrestimin e Ballukut! Rama: SPAK të shterojë çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni, s’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori (VIDEO)