Në Hagë vijon gjyqi për ish-krerët e UÇK-së. Ish i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë periudhës së luftës, Christopher Hill, në ditën e dytë të dëshmisë duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, tha se nuk ka asnjë arsye të besojë që Thaçi ka marrë pjesë në krime lufte apo i ka urdhëruar ato.
“Tani, koha nuk i shëron të gjitha plagët siç thuhet, por mendoj se pas 25 vjetësh është kohë e gjatë që të mendohen gjërat dhe pikë së pari nuk kam arsye të besoj se Thaçi ishte përfshirë në aktivitete të tilla. Nuk kam arsye të besoj dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të tilla apo veprime të tilla të paligjshme dhe siç e kuptoj unë ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje, pra e ndjeva që kur mu kërkua kjo gjë – nuk u kontaktova njerëz, njerëzit më kontaktuan mua dhe u ndjeva që duhet ta thosha atë që dija lidhur me situatën”, tha Hill.
Përgjatë dëshmisë së tij, diplomati Hill pohoi edhe njëherë se nuk besonte që Jakup Krasniqi ishte një nga figurat kryesore në UÇK.
“Kjo ishte përshtypja ime”, tha shkurt ai.
Hill tregoi gjithashtu se si ka pasur vonesa të vazhdueshme nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u përgjigjur në çështje të ndryshme, sepse nuk ka ekzistuar një person përgjegjës brenda grupit.
Ai ka pohuar deklaratën që e ka dhënë vite më parë në një intervistë se besonte se edhe lideri i asaj kohe, Ibrahim Rugova nuk ishte i gatshëm që ta kryente detyrën.
“Mospajtimet mes shqiptarëve nuk ishin shqetësimi im. Shqetësimi im ishte të zbatoja politikën amerikane dhe të gjeja një mënyrë që Beogradi, dhe grupe të ndryshme në Kosovë, të gjenin një mirëkuptim dhe të përfundonte konflikti", ka dëshmuar ai.
Hashim Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Kadri Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Jakup Krasniqi zëdhënës, ndërsa Rexhep Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.
Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.
Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët. Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.

Foto: Christopher Hill
Përgjatë dëshmisë së tij, Christopher Hill diskuton me prokurorin për një udhëtim që e ka realizuar me disa zyrtarë amerikanë dhe shqiptarë me makinë, në kërkim të njerëzve të UÇK-së në Drenicë, për të diskutuar situatën e atëhershme.
Hill shprehet se ka qenë ide e keqe që të realizohej ai udhëtim, meqë përgjatë rrugës ka pasur shumë të shtëna, që mund t’ua rrezikonin jetën.
Hill ka kujtuar që i është thënë se të shtënat janë kryer nga forcat serbe, për t'ua pamundësuar një takim me njerëzit e UÇK-së.
"Kjo përpjekje për të shkuar në vende si në Kijevë dhe Shtime, dhe vende tjera, ishin përpjekje për të gjetur njerëz të UÇK-së, sepse në atë periudhë kohore nuk e dinim kush fliste në emër të UÇK-së. Ky ishte frustrim i vazhdueshëm për neve kur dëgjonim njerëzit që thoshin se kush ishte përgjegjësi i gjërave dhe më pas thoshin ‘jo nuk është ky, është dikush tjetër’. Pra, ishte një situatë në të cilën ne nuk mund të mbështeteshim te të tjerët, duhej të shkonim dhe ta shihnim vetë”.
Komente








