Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e gjykatës së Arbitrazhit ku Shqipëria humbi gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.  Rama është shprehur i neveritur nga gëzimi i Presidentit Ilir Meta  dhe PD-së duke e cilësuar si të parakohshëm, pasi Shqipëria do të vazhdojë betejën e saj ligjore kundër Francesco Becchetti, të cilin e cilëson si marifetçi.

Rama tha se Shqipëria ka fituar 3 nga 4 gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu, ndërsa vendimin e arbitrazhin e konsideron të padrejtë.

"Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!

Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt", shkruan Rama

Postimi i kryeministrit Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:58
'Të neveritshëm dhe të paturpshëm', PD reagon ndaj Ramës: Nuk merret me dështimin 'Becchetti', por na sulmon ne dhe opozitën

Partia Demokratike ka reaguar pas tëitterit ku kryeministri Edi Rama ku i akuzoi ata se shfaqën një gëzim të neveritshëm dhe të paturpshëm në lidhej me vendimin e gjykatës së arbitrazhit për çështjen Becchetti. Selia blu shkruan se Rama në vend të përballet me dështimin e radhës, merret me PD dhe opozitën. Sipas PD më 25 prill shqiptarët do të rrëzojnë Ramën dhe do të zgjedhin një qeveri të përgjegjshme si ajo.

"Edhe në ditën kur i duhet të përballet me dështimin e radhës, Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se sulmon PD dhe opozitën.

Shqipëria ngeli në baltë me Ramën për 8 vjet, ky është fakt, sikundër mbetet po fakt që shqiptarët duhet të paguajnë 4560 lekë të reja nga xhepi, këtë herë për shkak të arrogancës së Edi Ramës

Është koha për ndryshim, që Shqipëria të ketë një qeverisje të përgjegjshme. Këtë do ta vendosin shqiptarët me votën e tyre në 25 prill. Ditën kur Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë", shkruan PD

Ora 21:46
Meta e Berisha në ekstazë, pse Shqipëria do i paguajë 110 mln euro Becchettit: SPAK të nisë hetimet ndaj Ramës, të shkojë në burg

Ilir Meta e Sali Berisha, bashkë me mediet e tyre, kanë kaluar në ekstazë, pas lajmit të publikuar nga VOA, se Shqipëria e ka humbur gjyqin me Françesko Beketin e duhet t’i paguajë atij 110 mln euro. Ilir Meta shkruan se Edi Rama duhet të hetohet nga Prokuroria.

E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë. Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro. Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë. Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë”, shkruan Meta/ Tema