Përpara çeljes së paradës së njësive të sigurisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se liria e Kosovës nuk nisi 18 vite më parë, por u ngjiz shumë më herët. Ai shprehu nderimin ndaj veteranëve dhe të rënëve të luftës, ndërsa shtoi se në një ditë feste, nuk mbyllen sytë para padrejtësive.
Kurti nënvizoi besimin te drejtësia, por mbajti qëndrimin se nuk mund të pranohet të rishkruhet historia e një lufte të kulluar dhe clirimtare.
"Sot shënojmë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një shtet i lindur nga rezistenca paqësore e nga sakrifica popullore, nga lufta çlirimtare dhe nga ndërhyrja ndërkombëtare. Më 17 shkurt 2008, të zgjedhurit e popullit tonë në mënyrë demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur në një mbledhje historike në kuvendin e vendit tonë. Shqiptarëve iu realizua një aspiratë politike, kurse Europës demokratike iu shtua një shtet i ri me orientim gjeopolitik dhe gjeostrategjik drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Por liria e Kosovës nuk filloi atë ditë para 18 vjetësh.
Liria e Kosovës është ngjizur shumë më herët, me përpjekjen e parreshtur ndër breza, me qëndresë të pamposhtur dhe me luftën e drejtë të UÇK-së, e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, i dha fund një regjimi shtypës dhe i hapi rrugë shtetësisë sonë. Sot përkulemi para dëshmorëve të kombit dhe rënëve për lirinë tonë. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, ata janë themelet e republikës. Nderojmë invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së, si dhe i falënderojmë aleatët tanë ndërkombëtarë që qëndruan në anën e lirisë, në anën e së drejtës historike.
Në këtë ditë feste, nuk i mbyllim sytë para padrejtësive. Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar, çlirimtare dhe antikoloniale. Një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur nën aparteid dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshojë asnjëherë", tha Kurti.
Lajmi kryesor:
Kosova feston sot 18 vite pavarësi/ Kuvendi në seancë solemne! Osmani, Kurti e Begaj: Historia nuk mund të shkruhet pa 4 liderët e UÇK-së









