TIRANE - Gjyqtari Astrit Haxhialushi do të kryesojë dosjen e 21 janarit në Gjykatën e Apelit Tiranë. Shorti është hedhur dje ndërsa anëtarë të trupit gjykues do të jenë edhe Fatos Qato dhe Tom Ndreca. Pas vendimit të 7 shkurtit, ku u shpallën të pafajshëm drejtuesit e Gardës së Republikës, Prokuroria e Përgjithshme vendosi të apelojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës.

Sipas gjykatës, e cila pranonte se të paktën dy nga manifestuesit ishin qëlluar nga armët e përdorura nga komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe drejtuesi i njësisë speciale Agim Llupo, prokuroria nuk kishte paraqitur provat që të vërtetonin se ata kishin qëlluar me dashje.

Por prokuroria vlerëson se Gjykata ka vepruar sipas saj, “në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente”. Sipas prokurorisë, “Gjykata në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo”.

Po kush është njëri nga tre anëtarët e trupit gjykues, mjaft i njohur nga opinion? Tom Ndreca, është personazhi i gjyqësorit, i njohur per 8 majin 2012. Ai njihet si njeriu që legalizoi përmbysjen e zgjedhjeve në Tiranë, duke shpallut fitues të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Bashën.

Dhe, pas vendimit të dhënë, vonoi dhe zbardhjen e vendimit, me pretendimin, se “ishin dy ditë pushimi zyrtar”. Por, gjyqtari i Gjykatës së Apelit, pjesë e Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi dy kërkesat e PS-së për zgjedhjet në Tiranë, Tom Ndreca, ka mbrojtur Lulzim Bashin edhe gjatë skandalit të rrugës Durrës-Kukës.

Argumenti që përdori Ndreca, së bashku me gjyqtarin tjetër Dalip Bushi, ishin se kishin gjykuar më parë zyrtarët e Ministrisë së Transporteve për Durrës-Kukës, Andi Toma dhe Armand Teliti dhe vendimi që mund të merrnin do paragjykohej. Tom Ndreca është emëruar si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë, që prej vitit 1994 dhe e ushtron këtë detyrë prej 16 vitesh.

Fillesat e tij në sistemin e drejtësisë datojnë vitin 1979, kur pasi u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, filloi stazhin në Hetuesinë e Bajram Currit. Gjyqtari Tom Ndreca ka lindur në Mirditë dhe fillimisht u emërua si jurist në Komitetin Ekzekutiv të qytetit të Kukësit.

Pasi qëndroi aty përreth dhjetë vjet u rikthye në vendlindje, në Mirditë, ku edhe punoi aty si jurist për afro një vit, e me pas u emerua si prokuror i Sektorit Gjyqësor, duke arritur deri në postin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit të Mirditës.

Tom Ndreca është një prej tre anëtareve të trupit gjykues që firmosi dënimin e të pandehurve për ekzekutimin e deputetit të Partise Demokratike, Azem Hajdari. Së fundmi, ka qenë anëtar edhe i treshes gjykuese që vendosi ekstradimin e ish-zyrtarit të Ministrisë së Jashtme, Almir Rrapos, drejt SHBA-së.   

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)