Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u pezullua nga detyra e tij pas një vendimi nga gjykata. Gjyqtari që dha vendimin është Arjan Aliaj, i njohur për gjykimin e proceseve të rëndësishme, ndër to edhe çështje me karakter politik.

Është i njëjti gjyqtar i cili dënoi në vitin 2011 30 protestues të opozitës, pjesëmarrës në protestën e 21 janarit përpara selisë së Këshillit të Ministrave. Protestuesit u dënuan nën akuzën e dhunës ndaj institucioneve dhe akuza të tjera të rënda të "armëmbajtjes pa leje" dhe përdorimit të sendeve të forta ndaj policisë.
 
Është pikërisht gjyqtari Arjan Aliaj njeriu që i gjet i gatshëm për të dënuar me burg protestuesit paqësorë, ndërkohë që ekzekutorët e Gardës së Republikës u morën në mbrojtje nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha dhe qëndruan të lirë për shumë e shumë kohë.
 
Nuk është ky rasti i vetëm. Gjyqtari Aliaj është shortuar nga goglat për të gjykuar edhe ngjarje të tjera politike.
 
Rasti tjetër është ai i marsit të vitit 2013, vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit të vitit 2013 kur u dënua Bashkim Tahiri, babai i ministrit të Brendshëm aktual Saimir Tahiri.
 
Akuza asokohe ishte se kishte bërë trafik ilaçesh me çanta shpine. Një akuzë që nuk u vërtetua asnjëherë dhe që mori përmasat e një gjykimi politik, për arsyen e vetme, se i biri i Bashkim Tahirit ishte një ndër eksponentët kryesorë të opozitës së asaj kohe të majtë.
 
Nisur nga këto, vendimi i sotëm i gjyqtarit Arjan Aliaj nuk duket aspak surprizues, pasi tendenca e njëanshmërisë bie në sy lehtësisht.   

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com