TIRANË-Gjyqtarja e Vlorës, Atalanta Zeqiraj, u konfirmua në qershor në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).  Por ky vendim nuk i ka pëlqyer ndërkombëtarëve. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Nëe një njoftim të IKP thuhet se Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në seancën e konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Vlorës, Atalanta Zeqiraj, vendimi gëzoi jo pak familjarët e saj. Pas përfundimit të seancës i biri iu drejtua për ta përqafuar, e gëzimi për këtë vendim duket qartë edhe në fytyrën e gjyqtares.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Zeqiraj u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan, ndërsa magjistratja u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.