Dinamo do të presë sonte, duke nisur nga ora 18:00 në Air Albania, Vllazninë kryesuese të Superligës për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Shkodranët vijnë me moralin e lartë, sidomos pas fitores 0-2 kundër Partizanit në kampionat ku Kevin Dodaj realizoi ‘dopietë’.
“Për ne është një ndeshje si të tjera, si në kampionat. Shpresoj të dalim me fitore dhe të vijmë në Shkodër sa më të qetë,”-u shpreh Kevin Dodaj, futbollist i Vllaznisë.
Në 4 përballje këtë sezon Dinamo ka fituar 1, barazuar 1 dhe humbur 2 kundër Vllaznisë, por në sfidën e fundit u rikthye te sukseset në kampionat, duke lënë pas një moment të vështirë.
“Dinamo vjen pas një fitore të thellë 4-1 kundër Elbasanit dhe besoj se janë shumë të motivuar ndaj nesh, por ne do luajmë për të zbatuar detyrat tona dhe të dalim me fitore,”-tha Kevin Dodaj, futbollist i Vllaznisë.
Gjysmëfinalja tjetër e Kupës do të luhet po sonte në orën 18:00 me Egnatian që pret në Rrogozhinë Elbasanin. Dy skuadrat i ndajnë vetëm 1 pikë në tabelën e klasifikimit, ndërsa këtë sezon janë përballur 4 herë. 3 ndeshje janë mbyllur në barazim, ndërsa në një rast fitues ka dalë Elbasani.
Komente









