Një 25-vjeçare e identifikuar si Melisa Saraçi është arrestuar nga policia në Tiranë e dyshuar si administratore e një Call Center-i duke mashtruar qytetarë të huaj që të investonin në bursa fiktive.

Ky call center operonte në një apartament në rrugën “Tish Daija”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 5 celularë dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë dokumentimit të kësaj veprimtarie kriminale.  

“DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Adapted”.

Kishte përshtatur apartamentin e saj si call center, për të mashtruar shtetas të huaj, që të investonin në bursa fiktive, vihet në pranga 25-vjeçarja.      

Sekuestrohen nga apartamenti, pajisje kompjuterike, celularë dhe prova të tjera materiale.

Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Adapted”.     

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasja M. S., 25 vjeçe, banuese në Tiranë.   

Shërbimet e Policisë ndërhynë në apartamentin në posedim dhe administrim të 25-vjeçares, në rrugën “Tish Daija”, i cili ishte përshtatur si call center, nga ku dyshohet se mashtroheshin shtetas të huaj që të investonin në bursa fiktive.   

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 5 celularë dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë dokumentimit të kësaj veprimtarie kriminale.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë