ITALI – Një grup kriminal i trafikut të drogës është goditur nga policia italiane që ka sekuestruar 760 kg kokainë të fshehur në një lëkurë të papërpunuar viçi. Janë lëshuar 20 masa sigurie 'arrest me burg' dhe të dyshuarit janë kryesisht italianë dhe domenikanë, por mes tyre është edhe 1 shqiptar. Një tjetër i dyshuar është lënë në 'arrest shtëpie'.
Vlera e kokainës në treg do të kapte shifrën e mbi 60 milionë eurove nëse do shitej me pakicë dhe 23 milionë me shumicë. Sipas mediave italiane, droga që u kap në Bolonja mbërriti në Itali nga Amerika e Jugut dhe ishte fshehur në kontejnerët e ngarkuar me lëkurë të papërpunuar viçi.
Mbi 700 kg kokainë ishin fshehur në copa, të paketuara dhe ishin identike në pamje, madhësi dhe peshë afërsisht 500 gram secila. Sasia e drogës bashkë me 341 mijë euro janë sekuestruar.
Në pak më shumë se një vit, duke filluar nga shkurti 2022, policia kreu kontrolle të shumta, duke goditur kështu grupin kriminal Domenikan. Gjatë hetimeve janë sekuestruar edhe shuma të mëdha parash.
Sipas mediave italiane, grupi i trafikantëve i kishte bazat në Romë, Milano, Bologna, Vado Ligure, Terni, Santa Croce sull'Arno e Creazzo. Kontrolle u kryen dhe në shtëpitë e të dyshuarve dhe gjithashtu u konfiskuan pesë makina dhe një motoçikletë.