Policia e Sarandës ka arrestuar 41-vjeçarin Gëzim Preçi, i cili pasditen e së mërkurës plagosi rëndë 48-vjeçarin Gentjan Mustafa.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Gëzim Preçi, i lindur në Tiranë dhe banues në Lezhë, është përfshirë në një grindje momentale, gjatë së cilës ka goditur me grushte dhe sende të forta 48-vjeçarin Gentjan Mustafa, banor i Shelegarit.
Të pranishmit në vendngjarje ndërhynë menjëherë, duke transportuar 48-vjeçarin drejt urgjencës së Spitalit të Sarandës.
Burime nga stafi mjekësor bëjnë me dije se 48-vjeçari ka pësuar dëmtime serioze, pasi goditja me sende të forta është fokusuar poshtë syrit, duke i shkaktuar thyerje të kockës orbitale si dhe hemorragji në sy.
Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, pas ndihmës së parë në Sarandë, Gentjan Mustafa është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Gëzim Preçi akuzohet për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Burime policore bëjnë me dije se 45-vjeçari ndodhej prej rreth një jave në Sarandë dhe gjatë kësaj periudhe kishte pasur edhe konflikte të tjera me qytetarë të ndryshëm, por pa përdorimin e sendeve të forta, ndryshe nga rasti i fundit.
Po sipas policisë, i arrestuari ka shfaqur shqetësime të sistemit nervor dhe, pavarësisht arrestimit, pritet të dërgohet për shtrim të detyruar në Spitalin Psikiatrik të Lezhës.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin G. P., 41 vjeç, banues në Sarandë, pasi dje, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin G. M., 48 vjeç, banues në Konispol, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës.", thuhet në njoftimin e policisë.
Komente












