37 vjeçari Mirjan Ashiku i cili ka goditur për vdekje 53 vjeçarin Zef Krasniqi gjatë një sherri për motive të dobëta 8 ditë më parë në Durrës është arrestuar nga policia.
Report Tv mëson se 37 vjeçari, për motive të dobëta ka goditur me grusht 53 vjeçarin i cili është rrëzuar në tokë duke marrë dëmtime dhe më pas është dërguar në spital sepse nuk është ndjerë mirë. Mjekët kanë konstatuar se shqetësimin e ka pasur nga rënia e tensionit. Më pas parametrat shëndetësore janë agravuar dhe policia thotë se pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal Durrës ai është transferuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë por fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Bëhet e ditur se viktima është gjetur i shtrirë në një trotuar nga kalimtarët. Fillimisht qytetarët kanë menduar se ai ishte sëmurë dhe është dërguar në spital. Por pasi ka ndërruar jetë policia është thelluar dhe ka zbuluar shkakun e vdekjes dhe autorin. Grupi hetimor vijoi hetime më të thelluara duke bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes deri në arrestimin ditën e djeshme të autorit të dyshuar.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës pas një pune hetimore disa ditore kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e shtetasit M.A., 37 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur një shtetas, ku për pasojë ka ndërruar jetë.
Konkretisht, më datë 23.05.2021, në lagjen Nr.13, Plazh, Durrës dyshohet se për motive të dobëta ka goditur shtetasin Z.K.,53 vjeç, banues në Durrës, i cili është rrëzuar në tokë duke i shkaktuar dëmtime, ku pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal Durrës është transferuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë ku më datë 27.05.2021 ka ndërruar jetë.
Policia e Durrësit menjëherë sapo ka marrë dijeni për ngjarjen, ka kryer të gjitha veprimet procedurale sipas dispozitave ligjore, duke pyetur edhe familjarët e personit të dëmtuar, të cilët nuk kanë pasur asnjë pretendim.
Grupi hetimor vijoi hetime më të thelluara duke bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin ditën e djeshme të autorit të dyshuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.