SPAK e akuzon grupin e Inez Hajrullës edhe për trafikun e 1.9 tonë droge (kokainë e kanabis) drejt vendeve të Bashkimit Europian. Anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, vepronin thuajse në gjithë Europën dhe hetimet e SPAK kanë zbardhur 4 episode të trafikut, mes tyre edhe një porosi prej 400 kg kokaine nga polici Rezart Kuçi.
750 kg kokainë e sekuestruar në Holandë
Flodian Plaku, i njohur ndryshe edhe si Pole Qorri, rezulton se në bashkëpunim me biznesmenin Mendu Duka (ende në kërkim) porositën 750 kilogramë kokainë nga Ekuadori dhe do të trafikohej në vendet e Bashkimit Europian. Sasia e drogës është sekuestruar në portin e Roterdamit në Holandë, ndërsa porositës rezultojnë edhe disa persona të tjerë që deri në këtë fazë të hetimeve nuk janë identifikuar ende nga SPAK. Janë bisedat në SkyECC që kanë çuar SPAK në zbardhjen e episodeve të trafikut të drogës, ku sipas hetimeve ky grup kishte krijuar një mekanizëm financiar të sofistikuar për financimin dhe transportin e drogës.
14 kg kokainë drejt Holandës
Episodi tjetër lidhet me sekuestrimin e 14 kg kokainë në nga Policia Greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda. Nga komunikimet në SkyECC rezulton se në këtë mjet transportohej edhe një ngarkesë tjetër droge me destinacion Italinë, transport i organizuar nga Argest Xhezani (në kërkim) në bashkëpunim me persona të tjerë.
Polici Rezart Kuçi porosit 400 kg kokainë
I përfshirë në trafikun e drogës rezulton edhe vetë Polici, Rezart Kaçi, i cili në kohën kur i ka shërbyer grupit të Inez Hajrullës shërbente si shef krimesh Vlorë. Kaçi jo vetëm që i jepte grupit të Hajrullës informacione për rivalët dhe dekonspironte kontrollet e policisë, por rezulton që ka siguruar edhe logjistikë për trafikun e drogës. Bëhet fjalë për të paktën 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020. Droga u sekuestrua në shtetin gjerman, ndërsa sipas bisedave të zbërthyera nga SkyECC, rezulton se porositës i kësaj sasie është polici Kaçi në bashkëpunim me Arben Memishaj (në kërkim) dhe anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.
Sekuestrimi i 727 kg kanabisi
SPAK ka dokumentuar edhe sekuestrime të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, përfshirë 227 kilogramë të sekuestruara në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020 dhe rreth 500 kilogramë të sekuestruara në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut, në mars 2021, të cilat dyshohet se transportoheshin përmes kamionëve drejt Turqisë përmes Greqisë.
Kliko KËTU për të lexuar njoftimin e plotë të SPAK
Lajmi kryesor:
Porositën 2 vrasje e trafikuan 1.9 tonë drogë, SPAK godet grupin e Hajrullës! 8 urdhër arreste, i forti i Vlorës dhe 4 të tjerë në kërkim! Në pranga një shef policie, kapet ish-efektivi në Zvicër (EMRAT+VIDEO)












