Sekuestrimet e drogës, armëve dhe parave nga policia në Itali
Telefonat e koduar (enkriptuar) të platformës SKY ECC kanë tradhtuar organizatën e klanit Çela, me celulën e grupit që vepronte në linjën e trafikut Elbasan-Breshia.
Hetimet kishin nisur prej vitit 2020, por goditja finale që “shtjelloi lëmshin” ishte ajo e vitit 2021, kur një nga anëtarët e organizatës u kap duke trafikuar 350 kg drogë për llogari të kapove, një pjesë e të cilës me destinacion zonën e Breshias dhe madje shpërndarjen në burgun e këtij qyteti, ku ndodheshin edhe shumë prej të arrestuarve drejtues të celulës. Aty u zbërthyen mesazhet e para mes anëtarëve të organizatës dhe drejtuesve, sasitë, udhëtimet dhe fitimet marramendëse.
Madje edhe udhëtimet e shumta për ‘biznes’ të kapove të grupit, mes Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kolumbisë dhe Ekuadorit në Amerikën e Jugut. Në total deri tani janë 40 persona të dyshuar apo arrestuar, italianë dhe shqiptarë, në rreth 5 vitet e fundit si pjesë e grupit nga hetimet dhe aksionet e kryera.
Vetëm sot u ekzekutuan 12 nga masat mes Italisë dhe Shqipërisë, 8 të tjera janë ende në pritje të procesit. Rrjeti shtrihej mes Breshias, Milanos, Novarës dhe Veronës dhe rajoneve të tjera si Torino, Bolzanos, Kremona, Pavia, Trentos dhe Treviso. Lënda e parë merrej në Amerikën e Jugut, teksa bisedat e përgjuara të kapura në platformën e koduar çuan deri tek provat dhe emrat e të dyshuarve.
“Në krye të celulës së Breshias do të ishin dy vëllezër shqiptarë, që i përkisnin një prej bandave kryesore dhe më të rrezikshme të mafies shqiptare, të ashtuquajturit “Klani i Çelës së Elbasanit”, i cili dyshohet se u jepte udhëzime një grupi burrash të besuar, me banim në provincën e Breshias dhe në krahina të tjera të Italisë Veriore, duke ushtruar një aktivitet të gjerë importi dhe shitjeje të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë”, shkruan media italiane.
Trafiku i drogës dhe madje shumave të parave kontrabandë kryhej nëpërmjet linjave të autobusëve Breshia-Elbasan dhe anasjelltas, nëpërmjet një sistemi të testuar dhe të suksesshëm për organizatën.
Aksioni më 2021 që zbërtheu grupin kriminal nga SKY ECC
Ishte nëntori i vitit 2021, kur ndodhi arrestimi i një prej të dyshuarve për posedimin e 350 kg kokainë, e cila do të dërgohej direkt në qelinë e trafikantëve në Breshia. Nga hetimet rezultoi gjithashtu se anëtarët e shoqatës kriminale do të kishin përdorur telefona “të enkriptuar”, analiza e të cilave zbuloi përfshirjen e tyre brenda grupit kriminal shqiptar, dedikuar veçanërisht trafikut ndërkombëtar të qindra kilogramëve kokainë. Veprimtaritë hetimore do të kishin vërtetuar sesi drejtuesit e organizatës, për të bërë marrëveshje me furnitorët, do të kishin udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në Dubai, ku jetojnë disa nga trafikantët më të rëndësishëm shqiptarë.
Hetimet dhe operacioni u kryen me kontributin e Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale - Shërbimi për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë dhe Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës, Interpol Lioni, Eksperti i Sigurisë në Madrid dhe Policia e Spanjës.
Lajmi kryesor: