Shqipëria po hedh një hap drejt krijimit të një kuadri ligjor për t’u përballur me rreziqet që sjell inteligjenca artificiale, nga cenimi i të drejtave të qytetarëve deri te manipulimi algoritmik i debatit publik.
Duke prezantuar para deputetëve të Komisionit të Ligjeve projektligjin për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e nisi fjalën me një citim të Papa Leone i XIV.
“Papa Leoni thotë: Na ka rënë neve që t’u bëjmë ballë sfidave të epokës sonë me kthjelltësi mendimi dhe me përgjegjshmëri”, tha Gogu.
Ratifikimi i konventës së parë ndërkombëtare juridikisht detyruese në fushën e inteligjencës artificiale vjen në një moment kur ndikimi i algoritmeve është bërë pjesë edhe e debatit politik në Shqipëri gjatë protestave.
Sipas ministrit të Drejtësisë, qytetarët duhet të jenë më të mbrojtur përballë vendimeve që merren ose ndikohen nga sistemet e inteligjencës artificiale.
“Në rast se të drejtat e tij shkelen, qytetari duhet të ketë mundësinë për ta kundërshtuar vendimin dhe të dijë fare mirë se kush mban përgjegjësi. Kjo është qasja e qeverisë”, tha Gogu.
Në themel të Konventës qëndron parimi se një vendim nuk mund të konsiderohet i drejtë apo i pakundërshtueshëm vetëm sepse është marrë nga një algoritëm.
Neni i parë kërkon që zhvillimi dhe përdorimi i çdo sistemi të inteligjencës artificiale të jetë në përputhje me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Qytetarët duhet të informohen kur një vendim që i prek është marrë ose është ndikuar ndjeshëm nga AI, si dhe të kenë mundësi ta kundërshtojnë atë dhe të paraqesin ankesë.
Konventa nuk ndalon automatikisht përmbajtjet e prodhuara nga inteligjenca artificiale, por kërkon transparencë dhe masa që teknologjia të mos përdoret për të manipuluar apo dobësuar proceset demokratike.
Ajo parashikon gjithashtu identifikimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, duke synuar që qytetarët të mund të dallojnë informacionin autentik nga materialet e prodhuara ose të manipuluara artificialisht.












Komente
Komento