ITALI - Interi u ndal në barazimin 1-1 nga Atalanta në ndeshjen e raundit të 29-të të Serie A, në një duel të luftuar deri në minutat e fundit.
Zikaltërit e nisën më mirë takimin dhe arritën të kalonin në avantazh në minutën e 26-të. Talenti Francesco Pio Esposito përfitoi nga një pasim i bukur brenda zonës dhe realizoi me një goditje të saktë, duke i dhënë epërsinë 1-0 zikaltërve.
Pas golit, Interi kontrolloi lojën dhe arriti të neutralizojë përpjekjet e Atalantës, e cila nuk krijoi shumë raste të rrezikshme në pjesën e parë. 45 minutat e para u mbyllën me avantazhin minimal të vendasve.
Në pjesën e dytë, miqtë rritën presionin dhe këmbëngulja e tyre u shpërblye në minutën e 83-të. Pas një aksioni brenda zonës, topi përfundoi te Nikola Krstovic, i cili reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në rrjetë për të barazuar shifrat në 1-1.
Pas golit pati edhe një moment tensioni, pasi gjyqtari Gianluca Manganiello urdhëroi kontrollin e aksionit nga sistemi VAR (Video Assistant Referee) për një faull të mundshëm, por goli u konfirmua.
Në minutën e 85-të arbitri ndëshkoi me dy kartona të verdhë dhe për rrjedhojë i dha karton të kuq trajnerit të Interit, Cristian Chivu. Për Atalantën në fushë luajti 90 minuta Berat Gjimshiti i cili zhvilloi një paraqitje për t’u mbajtur mend.
Pas këtij barazimi Interi vazhdon të kryesojë renditjen e Serie A me 68 pikë, tetë më shumë se Milani që mban vendin e dytë me 60 pikë. Megjithatë, Milani ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj jave dhe do të përballet me Lazion, ku mund të ngushtojë diferencën në tabelën e klasifikimit.
Komente







