ITALI - Serie A e futbollit në Itali nisi të premte me raundin e 21-të. Në "Arenën Garibaldi" vendasit e Pisas barazuan 1-1 kundër Atalantës. Pas tre fitoreve radhazi bergamaskët u ndalën në një fushë shumë të vështirë.

Ndeshja nisi me entuziazmin e Pisas dhe me disa raste shumë të pastra për shënim, por vendasit nuk gjetën dot epërsinë edhe falë disa pritjeve shumë të mira të portierit mik, Carnesecchi.

Edhe pjesa e dytë ishte thuajse e njëjtë, me dallimin e "zgjimit" të miqve dhe hedhjes në sulm. Trajneri Palladino lëvizi në stol dhe në minutën e 70-të hodhi në fushë Krstovic në vendin e Scalvinit. Pikërisht kjo lëvizje rezultoi deçizive pasi Krstovic në minutën e 83-të kaloi në avantazh Atalantën.

Kur u duk se bergamaskët po shkonin te suksesi i katërt radhazi, një krosim i Leris tre minuta para fundit dhe goditja me kokë e Durosinmi sollën golin e barazimit 1-1.

Momentalisht me 32 pikë Atalanta mban vendin e shtatë, ndërsa Pisa me 14 pikë mbetet në vendin e parafundit. Sot Serie A vijon me tre duele. Në orën 15:00 luhet Udinese - Inter, në orën 18:00 Napoli - Sassuolo dhe në orën 20:45 Cagliari - Juventus.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Janar, 18:35

    Arratisja e Ndocit, mendoni se Burgjet kanë standardet e duhura të sigurisë?