SHBA - Në "MetLife Stadium" në New York, Chelsea mposhti 2-0 skuadrën e Fluminenses falë dopietës së Joao Pedros dhe bëhet finalistja e parë e Kupës së Botës për Klube.

Sfida nisi mirë për të besuarit e Marescas, me një ish si Joao Pedro që u shënoi brazilianëve. Sulmuesi kontrolloi bukur topin dhe nga jashtë zone lëshoi një të djathtë që u ndal në trekëndëshin e majtë të portierit Fabio. Në minutën e 36-të Fluminense pretendoi për penallti, por pas konsultës me VAR arbitri vijoi lojën.

Edhe pjesa e dytë foli për Chelsea. Sërish Joao Pedro në minutën e 56-të shënoi një tjetër gol të bukur, këtë herë pas pasimit final të Enzo Fernandez. Vijimi i lojës nuk solli asnjë ndryshim rezultati dhe Chelsea pret të mësojë sot rivalët për në finale, me PSG që luan kundër Real Madrid në orën 21:00.

Fluminense është jashtë Kupës së Botës për Klube, por brazilianët ishin surpriza e këtij eventi duke nxjerrë jashtë Interin, për t'u cilësuar si "Hirushja" e Kupës së Botës për Klube.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 27 Korrik, 08:41

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?