Serie A e futbollit në Itali nisi të premte me raundin e tetë. Në 'San Siro' vendasit e Milanit barazuan 2-2 kundër debutuesve të Pisas. Vetëm në shtesën e ndeshjes Milani ia doli të barazonte, pasi më herët Pisa kishte përmbysur rezultatin. Edhe pse Allegri i kishte paralajmëruar të tijtë para sfidës, ashtu si kundër Cremoneses (1-2), Milani bën një hap fals po në shtëpi kundër një ekipi debutues.
Fillimi i ndeshjes foli për vendasit, madje Milani e gjeti golin e epërsisë shumë herët me Rafael Leaon. Portugezi përfitoi nga një pasim i Riccit dhe mposhti portierin Semper. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, ndërsa në fraksionin e dytë miqtë do bënin surprizën.
Duhej veterani Juan Cuadrado që në minutën e 60-të të vendoste ekuilibrat nga pika e bardhë e 11 metërshit. Katër minuta nga fundi, Pisa shokoi dhe heshti 'San Siron' duke përmbysur ndeshjen me Nzola.
Në shtesë Milani reagoi dhe pasimi i Modric u kthye në gol nga i riu Athekame. Kështu, Milani me 17 pikë mbetet sërish në krye të Serie A, ndërsa Pisa me katër pikë është larguar nga vendi i fundit dhe për momentin ndodhet në pozitën e 18-të.
Ndërkohë Interi, Napoli dhe Roma me 15 pikë ndajnë vendin e dytë dhe sot në 18:00 Interi luan në Napoli kundër kampionëve në fuqi. Shanset matematike janë që Interi apo Napoli t'i 'rrëmbejnë' kreun Milanit. Nesër, Roma luan kundër Sassuolos dhe ka shanse për kreun e Serie A.
Komente











Turp per nje ekip si Milani qe te kete drejtor Igli Taren, e pashe ndeshjen dje dhe mund te them pa frike qe Milani duhet te jete i gezuar nqs se do te zeje vendin e 10
Përgjigju