KARABURUN- Një pushues ka mbetur i plagosur nga një gomone në molin e vjetër të ish-ushtrisë në gjirin e “Shën Janit” në Karaburun të Vlorës. 56-vjeçari nga Tirana, sipas policisë ka qenë në mol në momentin që është përplasur nga gomonia e cila po ankorohej.

56-vjeçari kishte zbritur nga një anije turistike në det afër këtij moli, thotë policia, ndërsa thekson edhe njëherë se zona ku ka ndodhur aksidenti s’ka të bëjë me zonë plazhi.

“Sot, në Karaburun, një mjet lundrues tip gomone, me drejtues shtetasin F. T., gjatë ankorimit në molin e vjetër të ish-ushtrisë në gjirin e “Shën Janit”, aksidentalisht me helikën e mjetit lundrues ka dëmtuar në këmbë shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte zbritur nga një anije turistike në det afër këtij moli. (Nuk kemi të bëjmë me zonë plazhi)”, njofton policia.

56-vjeçari është transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës pasi ka dëmtime të rënda në këmbë, ndërsa mjeti lundrues është bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare. Drejtuesi i gomones është shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.